Vendosni fjalën kyçe....

Jack Dorsey reagon pas publikimit të ‘Dosjeve Twitter’: Kur u pezullua Trump isha me pushime, vendimin ia delegova vartësve


Ish-shefi i Twitter-it Jack Dorsey ka lëshuar një përgjigje ndaj ‘Tëitter Files’ të zbuluar së fundmi, duke pranuar një mori gabimesh të mëdha gjatë kohës së tij si shef ekzekutiv, ndërsa paralajmëroi kundër ‘kontrollit të centralizuar’ të internetit nga qeveritë dhe korporatat.

Sipërmarrësi i teknologjisë adresoi dokumentet e brendshme të rrjedhura në një postim në blog, duke pranuar se Twitter nuk arriti të mbajë parimet e tij udhëzuese afër fundit të mandatit të tij dhe se ai ‘hoqi dorë plotësisht’ nga vizioni i tij për faqen pasi investitorët ‘aktivistë’ blenë kompaninë diku në vitin 2020.

Megjithëse ai nuk sqaroi më tej investitorët e rinj ose se si ata mund të kishin ndikuar në platformë, Dorsey tha se fokusi i Twitter në kontrollin e dialogut publik ishte përfundimisht një nga gabimet e tij më të mëdha.

Ai përmendi vendimin për të pezulluar përgjithmonë Presidentin Donald Trump pas trazirave në Kapitolin e SHBA në janar 2021, duke thënë se ishte ‘gjëja e duhur për biznesin e kompanive publike në atë kohë, por gjëja e gabuar për internetin dhe shoqërinë’.

“Gabimi më i madh që bëra ishte që vazhdova të investoja në ndërtimin e mjeteve në Twitter për të menaxhuar bisedën publike, kundrejt ndërtimit të mjeteve për njerëzit që përdorin Twitter për ta menaxhuar me lehtësi veten e tyre,” tha ai.

“Kjo e ngarkoi kompaninë me shumë fuqi dhe na hapi ndaj presionit të jashtëm të rëndësishëm (siç janë buxhetet e reklamave). Në përgjithësi mendoj se kompanitë janë bërë shumë të fuqishme dhe kjo u bë plotësisht e qartë për mua me pezullimin tonë të llogarisë së Trump.”

Dorsey thuhet se ishte me pushime në kohën e ndalimit të Trump dhe ia kishte deleguar vendimmarrjen drejtuesve Yoel Roth dhe Vijaya Gadde – siç u zbulua në dosjet në Twitter – por megjithatë tha se ai mban fajin për gabimet në gjykim.

“Sulmet e tanishme ndaj ish-kolegëve të mi mund të jenë të rrezikshme dhe nuk zgjidhin asgjë. Nëse doni të fajësoni, bëjeni me mua dhe veprimeve të mia, ose mungesës së tyre,” vazhdoi ai, duke këmbëngulur gjithashtu se ‘nuk kishte qëllime të këqija apo agjenda të fshehura’ pas vendimeve më kontestuese të Twitter dhe se kompania ‘veproi sipas informacionit më të mire që kishim në atë kohë’.

Ish-CEO, i cili u largua nga posti në nëntor 2021, vazhdoi duke thënë se ai mirëpret ‘rivendosjen e re’ të sjellë nga pronari i ri i Twitter, sipërmarrësi miliarder Elon Musk, duke shprehur shpresën se faqja do bëhet ‘në mënyrë të pakëndshme transparente’.

Megjithatë, ai argumentoi se dosjet e Twitter-it duhet të ishin lëshuar ‘si Wikileaks’, ose të plota, në vend që të zbuloheshin për gazetarët e përzgjedhur nga drejtuesit e rinj të faqes.

Të kryesuar nga gazetarët Matt Taibbi dhe Bari Weiss, dokumentet janë publikuar në mënyrë të vijueshme me bekimin e Musk, duke hedhur dritë mbi një sërë vendimesh të diskutueshme të marra nga kompania.