Vendosni fjalën kyçe....

Komentet e Yuri Kim për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, reagon Rama: Nuk e zgjedh as qeveria, as Ambasada jo e jo


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së sotme nga ambasadorja amerikane Yuri Kim mbi zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.

Në një postim në Twitter, Rama thotë se është dakord me ambasadoren që zgjedhja e SPAK-ut të mos ndikohet, por thekson se atë nuk e zgjedh as qeveria, as ambasada.

“Jam plotësisht dakord me Ambasadën Amerikane dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!

Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër.”– thotë kryeministri Rama.

Që pas deklaratës nga Ministrja e Jashtme për përfundimin e mandatit të ambasadores Kim, nga kjo e fundit dhe rrjetet sociale të ambasadës ka patur shumë reagime mbi Reformën në Drejtësi, të cilat në rrethin politik e mediatik janë kuptuar si mesazhe për qeverinë shqiptare. Por kryeministri Edi Rama ditën e djeshme këmbënguli se nuk kishte një krisje mes tyre.

“Ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë. Kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem.”- tha Rama.

Ai këmbënguli se në deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për procedurat për zëvendësimin e ambasadores nuk është thyer asnjë etikë. Sipas tij procedurat për zëvendësimin e ambasadores kanë nisur nga DASH.

Ditën e djeshme, ambasadorja Kim deklaroi se do të ishte edhe për ca kohë më gjatë në Shqipëri.