Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman ka reaguar për incidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kanalin Anglez, ku është përmbysur një gomone me emigrantë.
“Jam në dijeni të një incidenti shqetësues në Kanal këtë mëngjes dhe jam duke u përditësuar vazhdimisht, ndërkohë që agjencitë përgjigjen dhe përcaktojnë urgjentisht faktet e plota. Mendimet e mia të përzemërta janë me të gjithë ata që janë përfshirë.”- shkruan Braverman në Twitter.
Incident ndodhi rreth orës 03:40 të mëngjesit, ku u përmbys një gomone me mbi 30 emigrantë. Një operacioni i madh i kërkim-shpëtimit po zhvillohet në këto momente ku janë përfshirë rojet bregdetare britanike, marina franceze dhe një ambulancë ajrore, dhe helikopterë të rojes bregdetare.
Një anije peshkimi, e cila ishte gjithashtu në zonë, ndihmoi në operacionin e shpëtimit.
Reporteri i BBC-së Simon Jones tha se kishte të vdekur nga ky incident, por autoritetet nuk i kanë konfirmuar ato.
Incidenti ndodhi disa orë pasi kryeministri britanik Rishi Sunak premtoi të aplikojë ligje të reja për të ndaluar imigracionin e paligjshëm.