Josep Borrell, do të informojë liderët e 27 shteteve anëtare të bllokut për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në samitin që mbahet më 15 dhjetor në Bruksel.
Një çështje e cila nuk ka qenë në axhendën e këtij Samiti. Kështu ka bërë me dije vetë përfaqësuesi i lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian.
“E dini se ditëve të fundit jemi përballur me probleme të mëdha në veri të Kosovës. E kam dërguar të dërguarin e posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë Serbi] Mirosllav Lajçak në rajon, në Prishtinë dhe Beograd, menjëherë pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së. Do t’iu raportoj liderëve për situatën dhe do të kërkoj uljen e tensioneve dhe t’i kthehen dialogut, që është rruga e vetme për të siguruar perspektivë evropiane për Kosovën dhe Serbinë.”– tha Borrell sipas REL.
Borrell, njëlloj si Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar heqjen e barrikadave.
“Është absolutisht e nevojshme që këto probleme të ndalen. Barrikadat duhet të hiqen, të kthehet qetësia, të kthehen diskutimet. Diskutimet për propozimin që kemi vënë në tryezë për të gjetur një zgjidhje të përhershme të tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit.”– tha Borrell.
Ditën e sotme, Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.