Vendosni fjalën kyçe....

Berisha me fituesit e Primareve: Ju keni transformuar dhe ridimensionuar pluralitetin në PD dhe në Shqipëri


Kryetari i PD-së Sali Berisha ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me fituesit e Primareve, ku u zgjodhën kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 14 Majit të vitit 2023.

“Për këtë sallë, për këtë seli, për PD-në, kjo është një ngjarje shumë e veçantë. Kurrë ndonjëherë më parë, këtu nuk janë ulur kandidatë për qytetarë të parë të bashkive të vendit, një trupë që ka marrë votat nga anëtarësia dhe simpatizantët e PD-së, më shumë se të gjithë institucionet e tjera të kësaj partie në të gjithë ekzistencën e saj.

Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne, është një zhvillim jashtëzakonisht i vyer, i çmuar, në rrugën tonë të konsolidimit të vlerave dhe demokracisë. Ju keni dalë nga një garë, keni konkurruar me bashkëluftëtarët tuaj, keni dëshmuar në tërësi civilitet, integritet, transparencë dhe me garën që keni bërë, keni transformuar, ridimensionuar pluralitetin në gjirin e PD-së, por edhe në Shqipëri në tërësi.”– tha Berisha.

Kryedemokrati thekson se nuk ka parti më të hapur në mënyrën më demokratike sesa një parti që përveç anëtarëve të vet, fton të votojnë edhe simpatizantët e saj.

“Nuk ka parti më të hapur sesa partitë që bazohen në garën, konkurrencën e lirë dhe të ndershme të zgjedhjes së institucioneve të saj. Nuk ka parti më të hapur sesa një parti që vendos pluralitetin dhe votën e lirë në themel të zgjedhjes së qeveritarëve të saj vendorë, qendrorë dhe drejtuesve të saj. Nuk ka parti më të hapur në mënyrën më demokratike sesa një parti që përveç anëtarëve të vet, fton të votojnë edhe simpatizantët e saj. Pranon në garë jo vetëm personalitete të veta, por edhe prurje të shquara nga shoqëria civile, bota akademike. Të gjitha këto kanë ndodhur në këtë garë.

Nuk them se ishte e përsosur, por këto ishin risi të pamohueshme të saj. Secili prej jush ka kontributin, investimin në këtë realitet të ri të krijuar në PD, por edhe në Shqipëri. Secili kandidat, që doli i dytë apo i tretë në garë, ka meritën e madhe se firmosi pluralitetin brenda në PD. Por një aspekt tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm, thelbësor i garës, qëndron në përmbysjen përfundimtare të përfaqësimit. Nga përfaqësim i kryetarit dhe kryesisë, te përfaqësim i anëtarit dhe simpatizantëve të PD.”– tha ai.