GJKKO dënon gjyqtaren Mimoza Margjeka e cila ishte nën akuzë për korrupsion. Pas vendimit të gjykatës, ajo doli e revoltuar dhe shpërtheu në akuza para gazetarëve.
Margjeka tha se vendimi ishte marrë me “porosi” nga lart, ndërsa sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama.
“Krimi është lart, e bëjnë vetë. Krimin po e bën pushteti, këto janë vegla. Nuk isha anëtare, isha gjyqtare e vetme. Unë nuk kam nevojë të marr sinjale. Juridikisht vendimi që thashë me datën 17 korrik e dha gjyqtari tjetër më 19 korrik me kërkesën e kryetarit të PS-së dhe ajo erdhi e fshehtë, përse nuk e kërkoni dosjen…? Të shqetësosh lartmadhëninë nuk paska lidhje? Po u shqetësua më i madhi, këta të tjerët janë miza me i shtyp me këmbë. Ju nuk po guxoni ta pyesni. Unë kam ik nga Durrësi, nga krimi nga korrupsioni. Nuk i besoj më institucioneve.
Unë jam gjyqtare, unë e di ligjin. Këta njerëz janë të porositur, mua më vjen keq për ta. Nuk e kam me pasion të bëj sot gjyqtaren. Më dënua mua, nuk është fundi i botës, shyqyr që nuk është koha e Enverit se do t’i varnin.”- u shpreh gjyqtarja.
GJKKO e dënoi gjyqtaren me 4 vite e 6 muaj burg, por dënimi i konvertohet me 3 vite rresht shërbim prove.
Bashkëshorti i saj Arben Cara është dënuar me 4 vite burg, avokati Skënder Demiraj me 3 vite shërbim prove, Klaudio Zhilla me 3 vite burg.
Ish-gjyqtarja Margjeka akuzohet se mori 6 mijë euro ryshfet për të ndryshuar një masë sigurie, para që u morën nga burri i saj. Të dy akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim.
Ndërsa Skënder Demiraj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim. Demiraj akuzohet se i ka dhënë paratë Margjekës, nëpërmjet bashkëshortit të saj.