Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Serbia duhet ta bëjë pjesë të dialogut.
Kurti ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk janë normale dhe ato normalizohen vetëm me njohje reciproke në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një marrëveshje e cila është bërë në vitin 2013, pastaj, kur është konkretizuar në vitin 2015, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Merreni me mend, 33 marrëveshja janë bërë në Bruksel, Serbia këmbëngul në atë marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e mohoj që, në kuadër të dialogut, Serbia do ta ngrejë si çështje Asociacionin si model për të zgjidhur çështjet e të drejtave të pakicave kombëtare. Le ta bëjë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel”-ka thënë Kurti në një intervistë për A2CNN.
Kurti ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, e garantuar nga Konventa e Vjenës për Ligjin e Trakteteve.
“BE dhe SHBA po ndihmojnë që të intensifikohet dialogu drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, ndërkombëtarisht të njohur, në kuptimin e Konventës së Vjenës për Ligjin e Traktateve, sepse vetëm kështu do ta kemi qëndrueshmërinë e marrëveshjes dhe garancinë e zbatimit”, ka thënë ai.