Vendosni fjalën kyçe....

Probleme me zemrën, princesha tajlandeze humb ndjenjat dhe përfundon në spital


Vajza e madhe e mbretit të Tajlandës u rrëzua pasi humbi ndjenjat për shkak të një sëmundjeje të zemrës të mërkurën në mbrëmje. Lajmi u konfirmua nga pallati mbretëror i Tajlandës.

BBC shkruan se Princesha Bajrakitiyabha, e cila është vajza e madhe e mbretit Vajiralongkorn, u rrëzua teksa stërvitte qentë e saj në veri-lindje të Bangkok.

44-vjeçarja u dërgua në një spital aty pranë, më pas me helikopter në Bangkok, ku po trajtohet.

Pallati e përshkroi gjendjen e saj mbrëmë si “të qëndrueshme deri në një farë mase”.

Buletinet mjekësore nga pallati mbretëror në Tajlandë janë zakonisht të paqarta dhe të fshehta, dhe nga deklarata e vetme e lëshuar për Princeshën Bajrakitiyabha, është e vështirë të vlerësohet se sa e rëndë është gjendja e saj.

Në deklaratë nuk thuhet asgjë për gjendjen e saj shëndetësore tani. Disa raporte kanë sugjeruar se është shumë më serioze sesa thuhet.

Princesha është vajza e gruas së parë të mbretit, Princeshës Soamsawali, dhe fëmija i tij më i madh. Ajo ka qenë pjesë e rrethit më të ngushtë të babait të saj, që kur ai pasoi Mbretin Bhumibol në vitin 2016 dhe është bërë oficere e lartë në gardën personale të mbretit.

Ajo është më e arritura në rrethin e brendshëm mbretëror, me diploma pasuniversitare në drejtësi nga dy universitete amerikane.

Mbreti Vajiralongkorn nuk ka emëruar ende një trashëgimtar të fronit, por Princesha Bajrakitiyabha shihet si pasardhësja më e përshtatshme.

Duke qenë një nga tre fëmijët e mbretit që kanë tituj zyrtarë, ajo ka të drejtë për fronin sipas Ligjit të Trashëgimisë së Pallatit të vitit 1924. Ajo ishte ambasadorja e Tajlandës në Austri nga viti 2012 deri në vitin 2014.