Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën, e cila do t’i dërgohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike.
Ai ka bërë të ditur se ajo do t’i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiç ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.
Vuçiç ka sqaruar se Serbia është duke kërkuar kthimin e 100 deri në 1.000 trupave, “sipas Rezolutës 1244”.