Vendosni fjalën kyçe....

Altin Dumani zgjidhet si kreu i ri i SPAK-ut


Altin Dumani do të jetë kryetari i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Me 5 vota pro, zoti Altin Dumani emërohet drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundë Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.”– tha kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z.Alfred Balla pas votimit.

Juria e pranishme në mbledhje votoi kështu: 1 votë për Adnan Xholin, 5 vota për Altin Dumanin, si dhe 4 vota për Edvin Kondilin.

Dumani zëvendëson Arben Krajën në këtë detyrë, të cilën zyrtarisht e merr më 19.12.2022 për një afat 3 vjeçar (deri më 18.12.2025), pa të drejtë rizgjedhjeje pas përfundimit të mandatit.

Gjatë prezantimit të tij, Dumani zbuloi vizionin e një Prokurorie të Posaçme të drejtuar prej tij, që do të fokusohet në bashkëpunimin dhe punën në grup.

“Ndihem shumë i motivuar për të garuar për këtë funksion, pasi nëse më jepet mundësia për të drejtuar këtë institucion, do të kem në fokus ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsionin. Unë besoj se suksesi bazohet nga bashkëpunimi, nga puna në grup, nga autonomia dhe nga integriteti i çdo anëtari të Gjykatës së Posaçme. Të flas për veten, sa herë më është dashur të angazhohem në gara, është pak e vështirë, pasi ne prokurorët jemi pak të kursyer për veten.”- tha Dumani.

Ai shtoi se e sheh këtë jo si një punë, por si një mision të jetës së tij.

“Nuk e kam parë asnjëherë si një vend pune e kam parë si një mision dhe këtë frymë kam përhapur te të gjithë kolegët. Një mision që kërkon angazhim maksimal dhe jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal. Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim.”- deklaroi Dumani.

Ai kujtoi se kjo është hera e dytë që kandidon dhe se nuk është demotivuar që nuk u zgjodh herën e parë. Ai tha se është nxitur nga kolegët e tij, prokurorët dhe hetuesit me të cilët punon që e kanë vlerësuar për punën që bën.

Seanca e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për zgjedhjen e ri të kreut të SPAK, zgjati më shumë se 5 orë. Prej orës 14:00, mbledhja u ndoq nga afër edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.