Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë rinovon linjën e kredisë 400 milionë euro me Bankën Qendrore Europiane


Banka e Shqipërisë njoftoi të premten zgjatjen edhe me një vit tjetër të marrëveshjes së saj të likuiditetit me Bankën Qendrore Europiane (BQE).

Marrëveshja e mëparshme përfundonte në janar të vitit 2023, ndërsa pas përtëritjes ajo do të jetë e vlefshme deri në janar 2024.

Linja e kredisë në fjalë u miratua për herë të parë në vitin 2020, pas shpërthimit të pandemisë dhe kishte si qëllim sigurimin e likuiditetit në Euro për institucionet financiare të vendit, nëpërmjet bankës qendrore.

Pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje huaje e kolateralizuar (REPO) nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet i dobishëm në kuadër të pasigurive të shtuara, që vijnë nga vazhdimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, në ekonominë globale dhe tregjet financiare.

Marrëveshje parashikon që Banka e Shqipërisë të mund të sigurojë financime për nevoja likuiditeti nga BQE deri në vlerën e 400 milionë eurove, në këmbim të një kolaterali të përshtatshëm në Euro.

Kolaterale të këtij lloji zakonisht janë titujt e borxhit të qeverive apo institucioneve me vlerësim sovran sipër një niveli të caktuar, të pranuar nga BQE-ja. Banka e Shqipërisë disponon sasi të konsiderueshme të instrumenteve të tilla, si pjesë e portofolit të rezervës valutore.

BQE ka vendosur gjithashtu të shtrijë linjat e saj të përkohshme të këtij lloji edhe me bankat qendrore të Andorrës, Hungarisë, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë dhe San Marinos.

Deri para vitit 2020, Banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera të rajonit nuk kishin në dispozicion mekanizma të sigurimit të likuiditetit nga BQE-ja. Instrumenti EUREP ishte mekanizmi i parë i këtij lloji.

Sektori bankar në Shqipëri ka rreth 6.2 miliardë depozita në Euro, ndërsa rezerva valutore e bankës qendrore ka vlerën e pothuajse 5 miliardë eurove. Megjithatë, pasiguria e shkaktuar nga faktorë me impakt global, si pandemia apo lufta në Ukrainë, e ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të parashikojë edhe plane rezervë, si linja EUREP me BQE-në.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al