Vendosni fjalën kyçe....

Dumani tregon pse u fut në garë: S’ishte i lehtë vendimi, më nxitën kolegët


Kandidati për kreun e ri të SPAK-ut, Altin Dumani është pyetur gjatë prezantimit të platformës së tij në KLP për arsyet e vendimit për të rikandiduar.

Dumani tha se nuk është demotivuar që nuk u zgjodh herën e parë. Ai tha se është nxitur nga kolegët e tij, prokurorët dhe hetuesit me të cilët punon që e kanë vlerësuar për punën që bën.

“Edhe për mua nuk ishte vendim i lehtë për t’u futur në garë. Pavarësisht rezultatit që pata tre vite më parë, shifrat që unë përmenda, dhe të dhënat e tjera flasin qartë që nuk u dekurajova asnjë ditë. Kam punuar edhe më shumë i motivuar. Dua të sjell një vëmendje një gjë tjetër. Para tre vitesh të tre kandidatët, vinim nga institucione të ndryshme. Tetë vite kisha qenë në Apel. Në përpjekjet tona për të paraqitur para këshillit prova nëse i plotësonim ato kritere, kishim pak vështirësi për të gjetur çështje në punën tonë. Unë sot vij me një bilanc para këshillit. Është një bilanc i mirë që krijon premisa që edhe në cilësinë e drejtuesit mund të kemi rezultate të mira.

Tjetra është që më kanë nxitur prokurorët dhe hetuesit me të cilët punoj. Shoh tek ata një vlerësim për punën time. Mjafton të përmend që vetëm në qershor të vitit 2020 u bë zgjedhja e drejtuesit, dhe prokurorët vendosën që unë të isha zv drejtuesi i SPAK. Kjo është provë që gëzoj respektin e kolektivit me të cilët punoj. Unë përdor një shprehje. Drejtuesi është pasqyra ku shihet vartësi. Dhe nëse një vartës apo koleg më mirë, shikojnë që kanë një drejtues të angazhuar që ka në fokus vetëm pasjen e një hetimi të suksesshëm. Unë nuk jam që kujdesem vetëm për hetimin por edhe në pikëpamje njerëzore i trajtoj si miq por edhe duke i kërkuar llogari ku duhet llogari.”– u shpreh prokurori.