Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutimi i 49-vjeçarit në Tiranë, viktima u qëllua me 9 plumba


Hollësi të reja kanë dalë lidhur me vrasjen e 49-vjeçarit Edmond Papaj, i cili ndërroi jetë në spital pasi u qëllua disa herë brenda një lokali në zonën e Selitës, Tiranë.

Viktima është pronari i një hoteli në Sarandë ndërsa ka qenë i dënuar kohë më parë në Greqi për trafik droge.

Papaj, me origjinë nga Saranda nuk jetonte në Tiranë dhe pak para ekzekutimit ka qenë në banesën e të vëllait, që ndodhet shumë pranë lokalit në rrugën ‘Fadil Bodinaku’, ku u qëllua me 9 plumba.

Edhe pse u dërgua me shpejtësi në spital, ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Njoftimi

“Rreth orës 16.30, në rrugën “Fadil Bodinaku”, në lokalin në pronësi të shtetasit V. Sh., një person ende i pa identifikuar ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasin E. P.,  49 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.”