Vendosni fjalën kyçe....

Gara për kreun e SPAK-ut/ Probleme teknike në prezantimin e Altin Dumanit, ndërpritet audioja


Prokurori Altin Dumani po bënte prezantimin e platformës së tij për drejtimin e SPAK-ut, kur papritmas iu ndërpre audioja.

Kështu fjala e Dumanit në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është ndërprerë për disa minuta duke sjellë edhe reagimin e ndërkombëtarëve të pranishëm në sallë, të cilët kanë kërkuar zgjidhjen e problemit.

Më pas problemet teknike u rregulluan dhe Dumani ka vijuar me prezantimin e tij.

Gjatë fjalës së tij, Dumani tha se këtë detyrë e sheh si mision dhe jo si punë.

“Nuk e kam parë asnjëherë si një vend pune e kam parë si një mision dhe këtë frymë kam përhapur te të gjithë kolegët. Një mision që kërkon angazhim maksimal dhe jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal. Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim.”– deklaroi Dumani.

Duke folur për platformën e tij, Dumani tha se duhet edhe një udhëzim i unifikuar për të renditur aktet dhe fashikujt.

“Dua të përmend edhe disa nga pikat e platformës time për hetime që janë të nevojshme të kryhen. Një nga hapat e parë është miratimi i rregullores për funksionimin e prokurorisë. E vlerësoj ai akt jetik. Është një draft i përgatitur.

T’i nënshtrohet një diskutimi konstruktiv dhe sa më shpejt ky akt të bëhet funksional. Unë vlerësoj se kjo duhet të bëhet. Miratimi i një udhëzimi të përgjithshëm për të unifikuar aktet në fashikujt. Nga praktika e këtyre viteve kam parë se prokurorë të ndryshëm i rendisin në mënyra të ndryshme aktet dhe fashikujt.”- tha ai.