Negociata e menjëhershme për t’u dhënë fund armiqësive në Ukrainë do parandalonin një tjetër Luftë Botërore, argumentoi ish-Sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger në një ese të botuar të premten.
Burri i shtetit, tashmë 99-vjeçar vuri në dukje se, në vitin 1916, qeveria amerikane pati mundësinë t’i jepte fund Luftës së Parë Botërore përmes diplomacisë, por e humbi atë për arsye të politikës së brendshme.
Kissinger shpalosi arsyetimin e tij në numrin e 17 dhjetorit të ‘The Spectator’, duke e përshkruar konfliktin e tanishëm si një ‘luftë në të cilën dy fuqi bërthamore po luftojnë për një vend të armatosur në mënyrë konvencionale’, një referencë e qartë që Ukraina është një luftë e ndërmjetme mes SHBA-së e Rusisë.
‘Procesi i paqes’ që propozon Kissinger do ‘e lidhë Ukrainën me NATO-n, në çfarëdo forme që të shprehet’, pasi ai beson se asnjanësia për Kievin nuk është më e mundshme. Ai gjithashtu dëshiron që Rusia të tërhiqet në kufijtë para 24 shkurtit, ndërsa territoret e tjera që Ukraina pretendon – Donetsku, Lugansku e Krimea ‘mund të jenë objekt i një negociate pas një armëpushimi’.
Përveç ‘konfirmimit të lirisë së Ukrainës’, marrëveshja do përpiqet të ‘përcaktojë një strukturë të re ndërkombëtare, veçanërisht për Evropën Qendrore dhe Lindore’, në të cilën Rusia ‘përfundimisht’ duhet të gjejë një vend, shpjegoi ai.
Ndërsa disa do parapëlqenin ‘një Rusi të pafuqishme për luftë’, Kissinger nuk pajtohet, duke argumentuar se ‘roli historik i Moskës nuk duhet të degradohet’.
Shpërbërja e Rusisë mund ta kthejë territorin e saj të gjerë në një ‘vakum të kontestuar’, ku ‘shoqëritë konkurruese mund të vendosin të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me dhunë’ dhe fqinjët mund të kërkojnë të marrin territorin me forcë, të gjitha në prani të ‘mijëra armëve bërthamore’.
Në thelb, ky është i njëjti propozim që Kissinger bëri për herë të parë në maj, për të cilin ai u etiketua si armik i Ukrainës dhe u shtua në listën famëkeqe të një faqeje ukrainase të emërtuar si Peacemaker ‘Paqebërësit’.
Në një intervistë në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Vladimir Zelensky hodhi poshtë kategorikisht çdo lloj armëpushimi që nuk merrte si pikënisje kufijtë e pretenduar të Kievit të vitit 1991.
Ishte gjithashtu e paqartë nëse Moska do pranonte ndonjë armëpushim të ndërmjetësuar nga Perëndimi, pas pranimit të ish-kancelares gjermane Angela Merkel se armëpushimi i Minskut i vitit 2014 kishte për qëllim ‘t’i jepte kohë Ukrainës’ për t’u përgatitur për luftë.
Ajo që është e freskët në esenë e Kissingerit së fundmi është arsyetimi i tij. Ai tregon gushtin e vitit 1916, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, kur fuqitë ndërluftuese kërkuan ndërmjetësimin e SHBA-së për t’i dhënë fund gjakderdhjes së paparë.
Megjithëse ‘një paqe e bazuar në status quo-në e mëhershme të modifikuar ishte e arritshme’, Presidenti Woodrow Wilson i shtyu bisedimet derisa të mund të rizgjidhej president në nëntor. Por atëherë ishte tepër vonë dhe lufta do vijonte edhe dy vjet të tjera, ‘duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme ekuilibrin e vendosur në Evropë’.
I pyetur në lidhje me propozimin e Kissinger-it, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin do e lexonte shkrimin e plotë, por ‘për fat të keq nuk ka pasur ende një mundësi për ta bërë këtë deri tani’.