Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka quajtur të papranueshëm dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale.
Në një shënim në Facebook, ai thekson se është i papranueshëm fakti që teksa mijëra vrasës nga Serbia s’janë dënuar a gjykuar për krimet e luftës në Kosovë e Ballkan, Mustafa, i cili ka luftuar jo për të pushtuar një vend tjetër po për të çliruar Kosovën e pushtuar.
Kurti shton se ka mijëra vrasës nga Serbia që s’janë dënuar kurrë për mbi 12 mijë të vrarë e mbi 20 mijë të dhunuar seksualisht në Kosovë.
“Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tone. Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej ‘sjellje të mirë’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës. Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, ka shkruar më tej Kurti.
Salih Mustafa u dënua me 26 vite burg nga Gjykata Speciale.