Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës/ SPAK mbyll hetimet dhe çon për gjykim Altin Hajrin, 5 akuzat ndaj tij


Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet ndaj Altin Hajrit në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në Kamëz dhe e ka dërguar për gjykim pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak.

Altin Hajri është personi i tetë i akuzuar për këtë krim.

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se Hajri akuzohet për 5 vepra të ndryshme penale nga rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit, grupi i strukturuar kriminal apo edhe kryerja e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.

Më herët në lidhje me rrëmbimin e Jan Prengës, SPAK ka ngritur akuzë ndaj Dritan Rexhepit, Gentjan Funiqit, Martin Bletës, Korado Kështenjës, Artan Doçajt, Aldo Majnishtës dhe Geraldo Martinit. Vijojnë ndërkohë hetimet lidhur me këtë çështje për identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.

 

Altin Hajri

Njoftimi i SPAK-ut:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vazhdimësinë e hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal nr. 62, të vitit 2020, për të cilën është kërkuar dërgimi më parë për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes për gjykim edhe për të pandehurin Altin Hajri akuzuar për kryerjen e veprave penale:

“Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4  i  Kodit Penal;

“Fshehja dhe asgjesimi i kufomes”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal;

“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 i Kodit Penal;

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ndodhur në Shijak akuzohet se është pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga, ngjarje e ndodhur datën 17.01.2020 në Kamëz, Tiranë

Hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.