Vendosni fjalën kyçe....

Sot zgjidhet kreu i ri i SPAK-ut, 3 prokurorët në garë bëjnë prezantimin para KLP-së


Sot mbahen zgjedhjet për kreun e SPAK. Tre kandidatët në garë janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani.

Në seancën e KLP-së janë të pranishëm dhe përfaqësues të OPDAT, delegacioni Komisionit Europian, dhe kryeprokurori Olsian Çela.

Në sallën ku po bëhet intervistimi i kandidatëve nga KLP kanë mbërritur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane. Ndërkohë mungon 1 nga 11 anëtarët e KLP-së që duhet të votojnë për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.

Kreu i SPAK-ut zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Fillimisht të tre kandidatët do shpalosin për 30 minuta platformën e tyre dhe më pas ata do të intervistohen nga anëtarët e KLP-së. Më pas me përfundimin e intervistave të kandidatëve, anëtarët e KLP-së do të votojnë për kreun e ri të SPAK-ut.

Çfarë tha Adnan Xholi?

Adnan Xholi i cili garon për kreun e ri të SPAK, ka nisur prezantimin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai dha arsyet se pse duhet të zgjidhet në krye të SPAK-ut, ku përmendi përvojën e tij profesionale dhe objektivat në rast se zgjidhet.

Xholi shprehet se ka ardhur momenti që trupa e SPAK të vazhdojë me hapa më të mëtejshëm luftën kundër korrupsionit ndërsa shtoi se duhen hetime konkrete dhe në kohë të shpejtë duke u bazuar vetëm në prova.

“Kam aftësitë e duhura profesionale, hetimore dhe menaxhuese për të drejtuar SPAK. Kjo prokurori është bërë efektive falë punës tuaj dhe ndihmës së ndërkombëtarëve. Trupa e SPAK është trupa më profesionale e prokurorëve në republikën e Shqipërisë.

Krahas rezultateve të shkëlqyera që ka arritur SPAK këto tre vite, mendoj se ka ardhur momenti që trupa e saj të vazhdojë me hapa të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të forcuar më tej besimin e publikut. Duhet të kemi hetime konkrete në një kohë të shpejtë dhe duke u bazuar vetëm në prova. Jemi të detyruar që për secilin të mbështetemi në prova. Kam mbi 24 vite në prokurori pa shkëputje. Karriera ime ka pasur ngritje te vazhdueshme dhe konsistente. E kam vazhduar nga roli bazë. Përvoja drejtuese që kam pasur më ka dhënë mundësinë që të forcoj raportet mes prokurorisë shqiptare dhe ndërkombëtarëve.

Çmoj se ky bashkëpunimi është shumë efikas në luftën kundër kriminalitetit. Krahas eksperiencës time profesionale kam një eksperiencë të pashkëputur në fushën akademike. Paketa ligjore e reformës në sistemin e drejtësisë solli risi decentralizimin e organit të akuzës. Tashmë drejtuesi ka rolin e menaxherit. Edhe pse prokurorët janë të pavarur, them se kjo pavarësi nuk është privilegj. Nëse do votohem nga ana juaj, qenia drejtues nuk të heq titullin e prokurorit.”- deklaroi ai.

Xholi tha se drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme duhet të mbajë përgjegjësi për të dhënë vëmendjen e duhur për çështje të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar.

Duhet edhe vetë të marrë përsipër përgjegjësinë e të jetë pjesë e grupit të hetimit duke dhënë eksperiencën e tij në çështje sensitive, është detyrë e drejtuesit të përfaqësojë akuzën dhe pranë gjykatës së Lartë.

Pas Xholit do bëjnë prezantimin e tyre edhe dy kandidatët e tjerë.

Çfarë tha Altin Dumani?

Kandidati tjetër Altin Dumani, gjatë prezantimit të tij tha se një Prokurorie të Posaçme e drejtuar prej tij, do të fokusohet në bashkëpunimin dhe punën në grup.

“Ndihem shumë i motivuar për të garuar për këtë funksion, pasi nëse më jepet mundësia për të drejtuar këtë institucion, do të kem në fokus ndërtimin e një strukture të aftë për të luftuar korrupsionin. Unë besoj se suksesi bazohet nga bashkëpunimi, nga puna në grup, nga autonomia dhe nga integriteti i çdo anëtari të Gjykatës së Posaçme. Të flas për veten, sa herë më është dashur të angazhohem në gara, është pak e vështirë, pasi ne prokurorët jemi pak të kursyer për veten.”– tha Dumani.

Prokurori që kandidon për postin e lartë thotë se e sheh këtë jo si një punë, por si një mision të jetës së tij.

“Nuk e kam parë asnjëherë si një vend pune e kam parë si një mision dhe këtë frymë kam përhapur te të gjithë kolegët. Një mision që kërkon angazhim maksimal dhe jam përpjekur që në këto 3 vjet të jap angazhimin maksimal. Garancia më e madhe e krijimit të një prokurorie të suksesshme është bilanci që unë kam këto tre vite. Megjithëse kam mbajtur postin e zëvendëskryetarit unë kam marrë një numër të plotë çështjesh për hetim.”- deklaroi Dumani.

Duke folur për platformën e tij, Dumani tha se duhet edhe një udhëzim i unifikuar për të renditur aktet dhe fashikujt.

“Dua të përmend edhe disa nga pikat e platformës time për hetime që janë të nevojshme të kryhen. Një nga hapat e parë është miratimi i rregullores për funksionimin e prokurorisë. E vlerësoj ai akt jetik. Është një draft i përgatitur.

T’i nënshtrohet një diskutimi konstruktiv dhe sa më shpejt ky akt të bëhet funksional. Unë vlerësoj se kjo duhet të bëhet. Miratimi i një udhëzimi të përgjithshëm për të unifikuar aktet në fashikujt. Nga praktika e këtyre viteve kam parë se prokurorë të ndryshëm i rendisin në mënyra të ndryshme aktet dhe fashikujt.”– tha ai.

Ndërsa fliste, Dumanit papritmas iu ndërpre audioja për disa minuta duke sjellë edhe reagimin e ndërkombëtarëve të pranishëm në sallë, të cilët kanë kërkuar zgjidhjen e problemit.

Më pas problemet teknike u rregulluan dhe Dumani ka vijuar me prezantimin e tij.

Çfarë tha Edvin Kondili?

Kandidati i tretë në garë për kreun e SPAK-ut, prokurori  Edvin Kondili, gjithashtu po bën prezantimin e platformës së tij përpara KLP-së.

Kondili dha arsyet pse duhet të jetë ai në krye të Prokurorisë së Posaçme. Ai beson se ka eksperiencën e duhur dhe kurajën për ta bërë një gjë të tillë.

 “I jam përgjigjur thirrjes nga KLP për vendin vakant për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, kam aplikuar pasi kam vlerësuar të gjithë eksperiencën dhe kurajon për të drejtuar këtë institucion. Kjo është një fazë vendimtare për konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme, ku kërkon analiza të dobësive me qëllim për të nxjerrë përfundime për të ardhmen. Angazhimi im do të jetë maksimal.

Kam 18 vjet që ushtroj detyrën e prokurorit, 15-vite pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe pas mbylljes së saj prokurorë në SPAK. Gjatë këtyrre 18-viteve kam hetuar të gjitha veprat penale, por më tepër ato që lidhen me korrupsionin.

Unë shkurtimisht përmend faktin se veprat penale që kam përfaqësuar në gjykim kanë patur të bëjnë me trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e armëve dhe municioneve, grup të strukturuar kriminal, vrasje e funksionarit të policisë, si dhe vrasje brenda familjes.”– tha Kondili.