Vendosni fjalën kyçe....

Bill Gates dhe Jeff Bezos bashkojnë forcat, investojnë në kompaninë rivale me Elon Musk në fushën e “çipave të trurit”


Bill Gates dhe Jeff Bezos kanë bashkuar fuqitë dhe të dy së bashku po investojnë në një kompani që do të krijojë pajisje të trurit (çipa).

Sipas Bloomberg, marsin e kaluar, eksperti i ndërfaqes kompjuterike të trurit, Tom Oxley, u ul në darkë me themeluesin e “Amazon.com Inc.”, Jeff Bezos, për të folur për kompaninë e sapolindur të Oxley, Synchron Inc.

Kjo darkë përfundoi me më shumë se sa thjesht një “ëmbëlsirë”, pasi Bezos i tha Oxley-it se ai donte të investonte.

Synchron tha të enjten se do të merrte një raund financimi prej 75 milionë dollarësh, një pjesë e tij nga Bezos Expeditions. Po ashtu ky financim përfshin dhe një çek nga Gates Frontier.

Synchron, është një konkurrent i Neuralink të biznesmenit Elon Musk, në sipërmarrjen e tij të re për të krijuar pajisje që lidhin trurin e njeriut me një kompjuter.

Synchron mblodhi 40 milionë dollarë vitin e kaluar për të zhvilluar strategjinë e saj që bashkon elektroda të vogla në tru duke i kaluar ato nëpër enët e gjakut në trup, pa pasur nevojë të shpohen në kafkë. Kompania shpreson se qasja minimalisht invazive një ditë mund të rivendosë komunikimin midis pacientëve të paralizuar dhe madje t’i ndihmojë ata të dërgojnë mesazhe, emaile ose të blejnë në internet.

Raundi i fundit i financimit e sjell mbledhjen e fondeve të Synchron në 145 milionë dollarë, të cilat do t’i nevojiten për të filluar një provë të re klinike kryesore dhe për ta transformuar teknologjinë në një produkt të dobishëm për paralizën. Jo vetëm kaq, ideja është se mund të përdoret gjithashtu si një rrugë e mundshme për trajtimin e epilepsisë ose si një mënyrë për të hartuar trurin pas një dëmtimi traumatik.

Edhe Elon Musk me Neuralink-un e tij po synon një zgjidhje të ngjashme, por që përfshin heqjen e një pjese të vogël rrethore të kockës dhe zëvendësimin e saj me një çip të lidhur me indin e trurit me elektroda fleksibël të ngjashme me filamentin, të cilat Musk e përshkroi si një “Fitbit” për kafkën”. Implanti i trurit pritet që një ditë të ndihmojë njerëzit e paralizuar të ecin përsëri dhe të trajtojnë sëmundje të tjera neurologjike.

Nisja e studimit të parë klinik, i cili duhej të fillonte në fund të vitit 2020, është shtyrë dhe pritet brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Ndërkohë, megjithatë, kompania e Musk është nën hetim federal për kryerjen e testeve mbi kafshët në eksperimente të nxituara, duke u shkaktuar vuajtje dhe vdekje të panevojshme.