Vendosni fjalën kyçe....

“Ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës”- Zëdhënësi i DASH-it për dënimin e Salih Mustafës


Shtetet e Bashkuara kanë reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale për të dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale, më 16 dhjetor, është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.

“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme.”- ka thënë Price në një komunikatë për media, citon REL.

Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Gjykata Speciale me seli në Hagë, funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Më konkretisht, Mustafa është dënuar për vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar, ndërsa është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Por vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat ndaj tij.