Vendosni fjalën kyçe....

“Na u shkatërrua jeta” – Fëmija 1-vjeç infektohet me HIV, prindërit fajësojnë mjekët dhe kërkojnë drejtësi


Dy prindër të rinj mësuan se më 27 nëntor 2021, fëmija i tyre 1 vjeç ishte infektuar me HIV. Por asnjëri prej tyre nuk e ka virusin.

Në një intervistë për “Balkanweb”, ata kanë treguar se dyshimet e tyre bien mbi spitalin QSUT, konkretisht tek reanimacionin e pediatrisë, ku i biri i tyre u shtrua për disa ditë pasi vuante nga bronkopneumonia.

Prindërit kanë dyshime se i biri është infektuar për shkak të neglizhencës së mjekëve apo infermierëve.

“Jemi dy prindër të rinj që dëshiruam shumë ti gëzoheshim dashurisë sonë. U kujdesa shumë gjatë shtatzanisë që të kisha një fëmijë të shëndetëshëm. Jemi prindër të një ëngjëlli 1 vjeçar, ai që doli në titujt e lajmeve si fëmija i infektuar me HIV me 2 prindër negativ. Si nënë nuk flas dot, vetëm zemra e di. Plagën në shpirt po e luftoj për hatër të tim biri. Asnjë pakujdesi e bluzave të bardha që unë e shikoja si shpëtim, s’do më bëjë që të heq dorë.”– thotë nëna.

Ndërsa babai u shpreh: “Nuk do të mjaftonin ditë të tëra të shprehja të gjithë vuajtjen dhe indinjatën time kundrejt organeve shtetërore, në veçanti Ministrisë së Shëndetësisë e drejtuar nga zonja Ogerta Manastirliu. Siç e theksoi bashkëshortja ime në fjalën e saj, na kanë shkaktuar dhimbje dhe lot, dëm kolosal të pallogaritshëm, të cilin nuk do ua uronim asnjë prindi të gjendej në të njëjtën situatë si e jona. Është shkelur privatësua, është përdhosur dinjiteti jonë, tashmë të gjithë në QSUT e dinë historinë e djalit tonë sepse nuk diskutohet gjë tjetër, për shkak edhe të frikës që mbizotëron për të treguar të vërtetën. Na detyruan të braktisim shtëpinë, na detyruan të braktisim punën për të shpëtuar djalin nga kthetrat e vdekjes që e priste, në rast se do të kishim qëndruar në Shqipëri.”

“Na u shkatërrua jeta” – shton ai.

Sipas Balkanweb, prindërit e vogëlushit, kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme një takim me ministren Ogerta Manastirliu, por kjo gjë nuk është mundësuar. Prindërit, e kanë referuar çështjen fillimisht në Ministrinë e Shëndetësisë, më pas në Kryeministri, por nuk morën asnjë përgjigje. 

Në këto kushte dy prindërit tregojnë se e dërguan çështjen se në Prokurori, me prokuror, Saimir Hysin, por edhe në këtë organ nuk gjetën zgjidhje.

Kjo sepse prokurori Hysi vendosi mosfillimin e hetimit për çështjen duke argumentuar sipas tij, që personat e kallëzuar nga dy prindërit nuk kanë bërë akte të përafërta me neglizhencën mjekësore dhe nuk kanë konsumuar një vepër penale. Por ky vendim, u kundërshtua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, që u shpreh se ka gjurmë të neglizhencës mjekësore dhe kërkoi rifillim të hetimit. Aktualisht, çështja do të shkojë në Gjykatën e Apelit.