Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Po planifikohet shtrirja në terren e autonomisë spitalore, mjekët dhe infermierët do paguhen


Kryeministri, Edi Rama gjatë një ceremonie me rastin e festave të fundvitit me stafin mjekësor tha se po planifikohet shtrirja në terren e autonomisë spitalore si objektiv i përhershëm i qeverisë së tij.

Ai tha se ishte krijuar një bazë e mirë për këtë objektiv, ndërsa shtoi se do të kishte edhe një sistem të ri të pagave të mjekëve dhe infermierëve ku ata që do të kishin produktivitet më të mirë do të paguheshin më shumë.

“Mezi pres që të fillojë shtrirja në terren e autonomisë spitalore sepse është objektiv i përhershëm. Janë krijuar kushtet tani sepse ju e dini se është e thjeshtë ta thuash por e vështirë për ta realizuar. Lajmi i mirë është që ne kemi spitale universitare rajonale që janë akredituar duke marrë të gjitha pikat e nevojshme për të zotëruar standardet për akreditim. Janë 261 entitete dhe janë bazë shumë e mirë për të vazhduar me autonominë spitalore që do bëjë të mundur mundësinë që të mos bëhet më një vlerësim uniform i mjekëve por të kalohet në një vlerësim nga pikëpamja e performancës. Që do thotë se nëse për të gjithë ka një dysheme të garantuar pastaj shpërblimet sipas punës vlerësohen në bazë të performancës, kështu që ata të cilët bëjnë më shumë orë në shërbim, kryejnë më shumë vizita, apo operacione do të paguhen më shumë se të tjerët”- deklaroi Rama.