Vendosni fjalën kyçe....

Lojtarët e Francës preken nga virusi në prag të finales, Deschamps: Po bëjmë çmos ta mbajmë nën kontroll


Trajneri i Francës, Didier Deschamps tha se ekipi i tij po merr ‘sa më shumë masa paraprake që është e mundur’ për të shmangur përhapjen e virusit në skuadër dhe që ai të mos ndikojë në përgatitjet e tyre përpara finales së Kupës së Botës FIFA të së dielës kundër Argjentinës.

Disa lojtarë nga ekipi francez janë prekur me sëmundjen misterioze, me dyshen mbrojtës Raphael Varane dhe Ibrahima Konate të paaftë për t’u stërvitur të premten, së bashku me sulmuesin e Barcelonës, Ousmane Dembele.

Kjo pasoi dyshen Adrien Rabiot e Dayot Upamecano, të cilët humbën gjysmëfinalen e së mërkurës kundër Marokut për shkak të sëmundjes.

Franca, e cila po përpiqet të bëhet skuadra e parë që nga Brazili në 1962 që fiton  dy botërorë radhazi, ka raportuar se lojtarët vuajnë nga një sërë simptomash që përfshijnë ethe, probleme me stomakun dhe dhimbje koke.

Lojtarët nga Brazili kishin raportuar ankesa të ngjashme më herët në turne, me Deschamps që më parë pretendonte se ajri i kondicionuar brenda stadiumeve po ofron një mjedis ideal që virusi të lulëzojë.

“Ne po përpiqemi të marrim sa më shumë masa paraprake të jetë e mundur, të përshtatemi sipas nevojës dhe të vazhdojmë me tej,” tha Deschamps në një konferencë për shtyp të shtunën.

“Natyrisht që do ishte më mirë nëse kjo nuk do ndodhte, por ne po e trajtojmë atë sa më mirë që të jetë e mundur me stafin tonë mjekësor. Ne mbetemi të qetë dhe të përqendruar”, shtoi Deschamps.