Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se Policia e Kosovës i ka të gjitha aftësitë për të garantuar sigurinë e rendin në vend e të përballet me strukturat kriminale.
Deklarata e tij erdhi pas protestës ditën e sotme në anën serbe të pikës kufitare të Jarinjës, ku dhjetëra serbë u tubuan duke protestuar kundër Prishtinës zyrtare, NATO-s e BE-së.
Sveçla theksoi se Serbia e mbështetur nga Rusia po përpiqen të zhvillojnë një luftë hibride në Kosovë, gjë në të cilën ai tha se do dështojnë.
“Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të republikës sonë. Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviqi (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Ëagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar.
Ditët e fundit, aktorë të tjerë shtetërore e joshtetërorë të këtyre dy vendeve, që janë të vetmet, që nga Lufta e Dyte Botërore, që ndezën luftëra në Evropë, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës dhe ende gjenden këtu. Ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohemi në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian.” – ka shkruar Sveçla në Facebook.