Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se rezervat globale të vaksinave të kolerës janë ‘bosh ose jashtëzakonisht të ulëta’ pasi shpërthimet e sëmundjes rriten dhe shkalla e vdekshmërisë rritet.
“Nuk kemi më vaksina. Më shumë vende po vazhdojnë t’i kërkojnë ato dhe kjo është jashtëzakonisht sfiduese.” – tha të premten në Gjenevë Dr. Philippe Barboza, drejtuesi i ekipit të OBSH-së për kolerën dhe sëmundjet epidemike të diarresë.
Zyrtari i mbikëqyrësit shëndetësor të OKB-së e përshkroi gjendjen si ‘të paparë’, pasi jo vetëm që ka më shumë shpërthime të sëmundjes, por ‘këto shpërthime janë më të mëdha dhe më vdekjeprurëse se ato që kemi parë në vitet e kaluara’.
Sipas OBSH-së, ka pasur një rritje të rasteve të kolerës në nivel global që nga viti 2021, kur u prekën 23 vende. Trendi ka vijuar këtë vit, me 29 vende që kanë raportuar raste dhe shpërthime të sëmundjes.
OBSH vuri në dukje se edhe kolera është e parandalueshme, mungesa e vaksinave vijon. Ai tha se prodhuesit e vetëm, Koreja e Jugut dhe India, ishin tashmë në ‘prodhimin më të madh të mundshëm’ prej 36 milionë dozash në vit. Një prodhues afrikano-jugor po planifikon të fillojë prodhimin, por nisma do marrë ‘disa vjet’, tha Barboza.
Në tetor, OBSH njoftoi se do të pezullonte përkohësisht regjimin e saj standard të vaksinave me dy doza kundër kolerës në një përpjekje për të ruajtur furnizimet. Agjencia paralajmëroi se ‘përdorimi i një doze të vetme në vend të dy dozave do lejojë që më shumë njerëz të mbrohen në periudhë afat shkurtër, megjithatë sipas saj kjo strategji ka kufizimet e saj dhe është e paqartë se sa do zgjasë imuniteti’.
Kolera është një infeksion i zorrëve i shkaktuar nga gëlltitja e ushqimit ose ujit të ndotur me bakterin Vibrio cholerae. Periudha e inkubacionit mund të zgjasë nga dy orë deri në pesë ditë. Ndërsa shumica e njerëzve ose nuk kanë simptoma ose vetëm simptoma të lehta, pak më pak se 20% e njerëzve të infektuar vuajnë nga dehidratimi i rëndë për shkak të humbjes së lëngjeve, gjë që mund të çojë në ndërlikime të tjera dhe vdekje.
Megjithatë, krahasuar me sëmundjet e tjera, kolera “është e lehtë për t’u trajtuar’, po për këtë duhet që pacientët të mund të marrin shpejt serume ose antibiotikë, tha OBSH. Deri në 143,000 njerëz vdesin çdo vit në mbarë botën nga kjo sëmundje, sipas OBSH-së.