Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon protesta në anën serbe të Jarinjës


Në anën serbe afër Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë – ka mbaruar një protestë e thirrur nga grupe djathtiste serbe, si shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës.

Protestuesit janë shpërndarë pasi Policia serbe u ka thënë se do të lirojë një person që ka arrestuar në protestë.

Organizatorët e protestës kanë thënë se serbët në veri të Kosovës janë “në presion të madh” dhe që e kanë pasur të ndaluar që t’i bashkohen protestës së 18 dhjetorit.

Kur e kanë përmendur presionin, ata kanë kritikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.

“Kemi dashur të shkojmë te KFOR-i, atje do të na ishin bashkëngjitur edhe disa persona tjerë, për t’i treguar KFOR-it që të largohet nga këtu, sepse nuk ka çfarë kërkon”.

Pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR janë parë prezentë në anën kosovare të pikëkalimit në Jarinjë.

“Kjo është toka jonë dhe nuk pajtohemi me këto kalime administrative”, ka thënë, Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.

Ky grup e ka organizuar protestën dhe u ka bërë thirrje mbështetësve nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnjë – Hercegovinës, që t’iu bashkohen në afërsi të Jarinjës.