Aktorja fituese e çmimit ‘Oskar’, Angelina Jolie, ka dhënë dorëheqjen si e dërguar speciale për agjencinë e OKB-së për refugjatët (UNHCR) pas dy dekadash në këtë rol, thanë Kombet e Bashkuara të premten.
Ylli i ‘Lara Croft: Tomb Raider’, ‘Maleficent’ e një sërë filmash të tjerë kishte qenë e dërguar që nga viti 2012, duke kryer më shumë se 60 misione në terren për agjencinë në pjesë të ndryshme të botës. Këtë vit, ajo bëri udhëtime në vende duke përfshirë Jemenin, Burkina Fason dhe Ukrainën.
Pavarësisht se i dha fund bashkëpunimit me OKB-në, Jolie premtoi se do vijojë të ndihmojë njerëzit e zhvendosur tashmë në një pozicion të ri.
“Unë do vijoj të bëj gjithçka në fuqinë time në vitet në vijim për të mbështetur refugjatët dhe njerëzit e tjerë të zhvendosur. Pas 20 vitesh pune brenda sistemit të OKB-së, ndjej se është koha që unë të punoj ndryshe, duke u përfshirë drejtpërdrejt me refugjatët dhe organizatat vendase.” – tha aktorja në një deklaratë të përbashkët me OKB-në.
Në një postim në Instagram për vendimin e saj, Jolie shkroi se UNHCR ishte ‘plot me njerëz të mrekullueshëm’ dhe se ajo ende besonte në shumë gjëra që bëjnë Kombet e Bashkuara.
Megjithatë, kohët e fundit aktorja kishte qenë kritike ndaj OKB-së. Në një artikull për revistën Time në qershor, 47-vjeçarja pohoi se ‘për shkak të mënyrës se si u krijua OKB-ja, ajo mbështetet drejt interesave dhe zërit të kombeve të fuqishme në kurriz të atyre njerëzve që vuajnë më shumë nga konflikti dhe persekutimi’.