Vendosni fjalën kyçe....

Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” mes gazetarëve që u pezulluan nga Elon Musk në “Twitter”


Një nga gazetarët të cilët u pezulluan nga Twitter ditën e enjte, është edhe korrespondenti kryesor i Zërit të Amerikës për çështjet kombëtare, Steve Herman.

Siç shkruan VOA, të enjten ndjekësit e Steve Herman, i cili është ish-shefi i zyrës së korrespondentëve të Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, u përballën në llogarinë e tyre me një ekran të zbrazët dhe mesazhin “Llogari e pezulluar”.

 

Të enjten po ashtu u pezulluan edhe llogaritë e gazetarëve të tjerë nga rrjeti i transmetimeve CNN, gazetat The New York Times dhe The Washington Post, si dhe të disa gazetarëve të pavarur.

Shumë nga këta gazetarë kanë shkruajtur artikuj apo kanë komentuar për ndryshimet e bëra në Twitter nga Elon Musk.

Pronari i ri i Twitter-it pati njoftuar se llogaritë e gazetarëve ishin pezulluar për shkak se kishin publikuar të dhëna që zbulonin vendodhjen e tij.

 “Të më kritikoni gjithë ditën është shumë në rregull, por të nxirret qëllimisht vendndodhja ime në kohë reale dhe të rrezikohet familja ime nuk është (e pranueshme).”- shprehej Musk.

Ai shtoi se “disa rregulla për nxjerrje të qëllimshme të informacionit identifikues vlejnë për ‘gazetarët’ ashtu si për të gjithë të tjerët’, duke iu referuar kështu rregullave të vendosura nga Twitter për ndalimin e publikimit të të dhënave personale”.

Musk kishte pezulluar më parë një llogari në Twitter, @elonjet, që ndiqte lëvizjet e avionit të tij personal, duke përdorur informacionin që është i disponueshëm publikisht. Ai tha se djali i tij ishte “përndjekur nga një i çmendur”, që përdorte informacionet nga kjo llogari.

Musk shprehej se pezullimi për këto llogari do të zgjaste për 7 ditë, por pas kritikave të shumta bëri një sondazh në Twitter, ku pyeste ndjekësit nëse duhej t’i rikthente llogaritë e pezulluara.

Pasi 43% votuan për rikthimin e menjëhershëm të këtyre llogarive, Musk tha se do ta ribënte anketimin për shkak se pati më shumë opsione se ç’duhej. E në sondazhin tjetër, 59% e votuesve kërkuan rikthimin e llogarive të pezulluara.

“Njerëzit kanë folur. Llogarive që kanë zbuluar vendndodhjen time do t’u hiqet pezullimi tani.”- shkroi Musk në Twitter. Nëse e kërkoni Steve Herman, llogaria e tij tashmë është aktive në rrjetin social.

Çfarë shkruan VOA për gazetarin Steve Herman?

Herman ka raportuar për herë të fundit për Zërin e Amerikës në lidhje me platformën Twitter në shtator. Të enjten, ai po shkruante në Twitter për rastin e @elonjet.

“Kisha shkruajtur disa herë mbrëmjen e së enjtes për këtë dramë në rritje, që pati filluar me pezullimin e të ashtuquajturës llogari robotike që nxirrte vendndodhjen e avionit privat të Elon Musk-ut”, i tha zoti Herman Zërit të Amerikës.

Në mesazhin e tij të fundit në Twitter, zoti Herman publikoi një link për një artikull të gazetës Washington Post dhe shkruajti: “Më shumë reagime për vënien në shënjestër të enjten mbrëma të gazetarëve në Twitter”.

Pak më pas, llogaria e tij u pezullua. Zoti Herman tha se nuk mundej më të dërgonte mesazhe apo të reagonte ndaj mesazheve të të tjerëve.

Nëpërmjet një deklarate në orët e vona të së enjtes, Zëri i Amerikës konfirmoi se llogaria e zotit Herman ishte pezulluar dhe i bëri thirrje platformës së mediave sociale që ta riaktivizonte atë.

“Zoti Herman është një korrespondent me përvojë që ruan standartet më të larta të gazetarisë dhe e përdor platformën e medias sociale për mbledhje lajmesh dhe për komunikim. Zoti Herman nuk ka marrë asnjë informacion nga Twitter-i se përse ishte pezulluar llogaria e tij”, u shpreh në një email zëdhënësi i Zërit të Amerikës, Nigel Gibbs.

“Si korrespondenti kryesor për çështjet kombëtare, zoti Herman mbulon zhvillimet në vend dhe ato ndërkombëtare, dhe ky pezullim dëmton aftësitë e tij për të kryer detyrën si gazetar”.

Në momentin e pezullimit, Herman kishte rreth 112 mijë ndjekës.

Ai i tha Zërit të Amerikës në orët e vona të së enjtes se kishte marrë një lajmërim se llogaria e tij ishte pezulluar përgjithnjë. Në lajmërim gjendej një link ku mund të apelohej vendimi. Kur ai klikoi këtë link, iu shfaq mesazhi: “Asnjë rezultat. Lutemi përpiquni të kërkoni për diçka tjetër”.

Ndryshimet në Twitter janë me interes për audiencat globale, tha zoti Herman.

“Është qartazi një histori që po rritet për lirinë e shtypit dhe njerëzit janë të interesuar pasi ka të bëjë me një platformë shumë të madhe të medias sociale, një person që më duket se është personi i dytë më i pasur në botë. Dhe e gjitha kjo po ndodh në Amerikë, me Kushtetutën tonë, Amendamentin e Parë dhe demokracinë”.