Rusia ka kërkuar ekstradimin e shtetases ruse Svetlana Timofeeva , e cila u arrestua së bashku me dy të tjerë pak muaj më parë pasi u futën në ish-uzinën e armëve në Gramsh.
Top Channel thotë se Prokuroria e Elbasanit ka konfirmuar se ka një kërkesë, por që ende nuk është çuar zyrtarisht në gjykatë, pasi po verifikohet besueshmëria në ligj dhe konventa. Kërkesa për ekstradimin e Tomofoevës ka ardhur dy javë më parë.
Në kërkesën e ekstradimit thuhet se Svetlana Timofeeva në vitin 2018 është përfshirë në vjedhjen e dokumenteve sekrete shtetërore, nga një institucion rus, për të cilin nuk jepen detaje të tjera.
Megjithëse në kërkesë, specifikohet se kjo vepër penale është kryer në vitin 2018, urdhër arresti është lëshuar vetëm disa ditë pas arrestimin në Shqipëri të Svetlana Timofeeva , bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov.
Çfarë ndodhi në shtator?
Svetlana Timofeeva , Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov u arrestuan më 20 shtator 2022 pasi u futën në perimetrin e ish-uzinës ushtarake në Çekin të Gramshit dhe u hodhën spray me lëndë djegëse për sytë, ushtarëve që ruanin objektin.