Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohen me gurë gazetarët në veri të Kosovës


Një ekip gazetarësh është sulmuar sot në veri të Kosovës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të barrikadave të ngritura në Çabër të Zubin Potokut.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që thotë në drejtim të gazetarëve të televizionit “Klan Kosova” janë hedhur gurë dhe ata janë “fyer dhe sharë” nga sulmuesit.

“Ekipi i Klan Kosovës, i përbërë nga gazetari Haris Ademi, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, është sulmuar sot, përderisa po raportonin afër barrikadave të vendosura në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Sulmuesit në drejtim të ekipit kanë hedhur gurë, si dhe i kanë fyer e sharë.”– njofton AGK.

AGK-ja tha e ky është sulmi i tretë ndaj gazetarëve, që kur disa serbë lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës më 10 dhjetor.

“AGK-ja sërish bën thirrje tek organet kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët, njëherësh kërkojmë që të lejohen të bëjnë punën e tyre pa u penguar.”– thuhet në njoftim.