Të paktën 36 persona janë plagosur, 11 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë, pasi një fluturim i “Hawaii Airlines”, i nisur nga Phoenix për në Honolulu u godit nga turbulenca të forta.
Siç shkruan BBC, incidenti ndodhi pak para se avioni me 278 pasagjerë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit, të zbriste në aeroport.
Njëzet persona u dërguan në spitalet lokale pasi kishin marrë plagë, pësuar mavijosje dhe humbje të vetëdijes e deri te lëndime në kokë.
Në momentin e turbulencës në zonë u raportua për stuhi.
Në një deklaratë nga Hawaiian Airlines thuhej: “Kujdes mjekësor iu ofrua disa mysafirëve dhe anëtarëve të ekuipazhit në aeroport për lëndime të lehta, ndërsa disa u transportuan me shpejtësi në spitalet lokale për kujdes të mëtejshëm.”
Nga personat e dërguar në spital, rreth 17 ishin pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Mes tyre ishte një foshnjë 14 muajshe dhe një adoleshente.
Shefi Operativ i kompanisë ajrore, Jon Snook, tha se ai ishte “mirënjohës” për mbështetjen e ofruar nga shërbimet e urgjencës dhe se “duket se të gjithë do të mbijetojnë”.
Ai shtoi se kohët e fundit ka pasur kushte të paqëndrueshme të motit në Hawaii që kanë krijuar sfida për linjat ajrore.
Linja ajrore tha se po kryente një inspektim të plotë të avionit, përpara se të rivihet në punë.