Vendosni fjalën kyçe....

Kanadaja kërkon të konfiskojë asetet e Abramovich-it


Kanadaja synon të sekuestrojë 26 milionë dollarë nga kompania e sanksionuar ‘Granite Capital Holdings’ në pronësi të miliarderit rus Roman Abramovich, njoftoi të hënën Ministria e Jashtme kanadeze.

Kanadaja, së bashku me BE-në dhe Britaninë e Madhe, vendosën sanksione ndaj Abramovich menjëherë pasi filloi konflikti në Ukrainë në fund të shkurtit.

Është hera e parë që Otava do përdorë legjislacionin e saj të ri, të njohur si Rregullorja e Masave Speciale Ekonomike, që i lejon qeverisë së vendit të konfiskojë asetet e sanksionuara të individëve që janë në listën e zezë me një urdhër gjykate.

Sipas deklaratës zyrtare të publikuar në faqen e internetit të qeverisë, ministrja e Jashtme Melanie Joly tani do konsiderojë të bëjë një kërkesë gjyqësore për sekuestrimin e aseteve të Abramovich dhe dorëzimin e tyre ‘përgjithmonë te Kurora’.

Nëse konfiskohet, prona e miliarderit rus dhe ish-pronarit të klubit anglez të futbollit Chelsea do të përdoret për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës dhe kompensimin e ‘viktimave të luftës’, thuhet në njoftim.

Kanadaja do bëhej gjithashtu e para ndër vendet e G7-ës që do zbatonte këtë masë.

Ligji që lejon këtë konfiskim u miratua në qershor. Në tetor, autoritetet kanadeze njoftuan një shumë prej 76 milionë dollarësh kanadezë (55.6 milionë dollarë) për të financuar një njësi të re në ministrinë e Joly-së, e dedikuar për zbatimin e sanksioneve dhe mbështetje shtesë për Policinë Mbretërore Kanadeze të Montuar.

Abramovich mori pjesë në negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll në fund të marsit dhe më vonë në prill vizitoi Kievin në një përpjekje për të rifilluar bisedimet e ngecura.