Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ai ka takuar sot kreun e Policisë së Shtetit në vendin tonë, Muhamet Rrumbullakun.
Siç bën me dije Policia e Shtetit në një njoftim, Aktaş ka bërë një donacion për Policinë Shqipëriare që përfshin servera dhe pajisje për integrimin e disa prej programeve për ruajtjen e të dhënave zyrtare.
Ky donacion vjen pas sulmeve kibernetike të ndërmarra ndaj vendit tonë.
“Ndihem shumë krenar dhe shumë i lumtur që gjendem në Shqipëri, në një vend mik për Turqinë. Turqia dhe Shqipëria kanë lidhje shumë thella miqësore dhe sot për këtë arsye gjendemi këtu. Sipas direktivave të Ministrit të Brendshëm të Republikës së Turqisë, sapo jemi njohur me sulmet kibernetike, kemi dërguar ekipin teknik të punës dhe sot jemi këtu për të bërë dorëzimin e disa pajisjeve të cilat do t’ju vijnë në ndihmë. Ndihma jonë nuk do të ndërpritet këtu.” – tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri ishte gjithashtu i pranishëm në këtë takim. Donacioni i dhuruar nga Policia turke vjen pas shumë donacioneve të tjera të akorduara për Policinë e Shtetit, donacione që përfshijnë automjete, pajisje logjistike dhe uniforma, kryesisht për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe në shumë trajnime e module arsimore të ofruara nga Policia turke për Policinë shqiptare.
NJOFTIMI I POLICISË
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş, vizitë në Policinë e Shtetit.
Policia turke i dhuron Policisë shqiptare, një donacion që përfshin servera dhe pajisje për integrimin e disa prej programeve të Policisë së Shtetit dhe ruajtjen e të dhënave të tyre.
Gjatë ditës së sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, ka zhvilluar një vizitë pune në Policinë e Shtetit.
Fillimisht, z. Aktaş është pritur në një takim “kokë më kokë” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe më pas të dyja delegacionet zhvilluan një takim pune për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e urave të reja në fushat me interes të përbashkët.
Të dy drejtorët e përgjithshëm vlerësuan marrëdhëniet mes dy policive, shkëmbimin e informacioneve për grupe dhe persona me aktivitet kriminal në fushën e krimit të organizuar, si dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta për kapjen e personave të shumëkërkuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e njohu drejtorin e Policisë turke, me prioritetet, filozofinë dhe vendosmërinë që ai ka për reformat strukturore, ligjore dhe arsimore të Policisë së Shtetit, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qytetarët dhe zgjidhjen e problemeve të adresuara prej tyre sipas kompetencave që ligji i jep punonjësve të Policisë; për një qasje të re në luftën ndaj krimit dhe për vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët, në përmbushjen e misionit të përbashkët.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit: “Dua të falenderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë turke dhe ambasadorin e Turqisë, në Shqipëri, për ndihmën dhe kontributin e dhënë përmes donacioneve konkrete, në luftën ndaj sulmeve kibernetike, të cilat përgjatë muajit shtator, 2022, përfshinë sistemet teknologjike të Policisë së Shtetit shqiptar, si dhe për rritjen e sigurisë kibernetike në përgjithësi. Kjo ndihmë vjen në kuadër të bashkëpunimit intensiv me Policinë turke, bashkëpunim i cili e tejkalon nivelin protokollar dhe ka dimensionet e një miqësie të vërtetë dhe ndihme vëllazërore, në funksion të qëllimeve tona të përbashkëta. Ura e bashkëpunimit ndërmjet policive tona karakterizohet nga gatishmëria dhe reagimi në kohë ndaj çdo sfide të përbashkët. Ky fakt na inkurajon për të ardhmen, për ta thelluar më tej bashkëpunimin për çeshtje konkrete si lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe për rritjen e kapaciteteve trajnuese të policive të të dy vendeve. Policia e Shtetit shqiptar ju garanton se është e angazhuar për të qenë për kolegët tanë të Policisë turke, partnere e besueshme, tepër transparente dhe shumë bashkëpunuese në luftën tonë të përbashkët, kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke: “Ndihem shumë krenar dhe shumë i lumtur që gjendem në Shqipëri, në një vend mik për Turqinë. Turqia dhe Shqipëria kanë lidhje shumë thella miqësore dhe sot për këtë arsye gjendemi këtu. Sipas direktivave të Ministrit të Brendshëm të Republikës së Turqisë, sapo jemi njohur me sulmet kibernetike, kemi dërguar ekipin teknik të punës dhe sot jemi këtu për të bërë dorëzimin e disa pajisjeve të cilat do t’ju vijnë në ndihmë. Ndihma jonë nuk do të ndërpritet këtu. Në të ardhmen, në kuadër të bashkëpunimit tonë, do të kemi dhe suporte akoma më të forta. Bashkëpunimi ynë është shumë i gjerë dhe një ndër fushat që kemi bashkëpunim të fortë është edhe fusha e trajnimeve dhe ofrimit të mundësisë për kurse. Bashkëpunimi do të vazhdojë në shumë fusha, si në luftën kundër terrorizmit, pastrimit të parave, krimit të organizuar etj. Dua të falënderoj përzemërsisht Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar, për gatishmërinë që ka treguar që në momentet e para kur ai e mori këtë detyrë, duke bërë të mundur që palës turke t’i ofrojë ndihmën për arrestimin e disa anëtarëve të cilët ishin duke operuar në Shqipëri, si anëtarë të grupeve kriminale. Më lejoni të përfundoj fjalimin tim duke falënderuar për këtë mikpritje dhe për këtë bujari që më ka treguar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar dhe njëkohësisht të gjithë ekipin e tij, duke iu uruar suksese në vijim. Dua të theksoj faktin se Policia e Shtetit të Turqisë do vijojë të qëndrojë pranë jush, me çdo mjet dhe suport.”
Drejtori i Policisë turke i ka dorëzuar Drejtorit të Policisë së Shtetit, donacionin që përfshin servera dhe pajisje për integrimin dhe ruajtjen e të dhënave të disa prej sistemeve të Policisë së Shtetit, që u dëmtuan për shkak të sulmit kibernetik.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, gjatë fjalës së tij, është shprehur se pala turke është në gatishmëri për ta mbështetur kurdoherë policinë shqiptare, për cdo çështje apo kërkesë që ajo ka. Ai ka theksuar se do të trajtohet me përparësi çdo kërkesë e palës shqiptare dhe do të dërgohet menjëherë në Ankara, duke qenë se Shqipëria është partnere, mike e Turqisë.
Donacioni i dhuruar nga Policia turke vjen pas shumë donacioneve të tjera të akorduara për Policinë e Shtetit, donacione që përfshijnë automjete, pajisje logjistike dhe uniforma, kryesisht për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe në shumë trajnime e module arsimore të ofruara nga Policia turke për Policinë shqiptare.