Shërbimi i internetit dhe intranetit në tre institucione publike parashikohet t’i kushtojë jo pak buxhetit të shtetit.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e ngarkuar për kryerjen e këtyre prokurimeve njoftoi këtë të martë për çeljen e procedurës me një fond limit prej 5.5 milionë euro pa TVSH. Ofrimi i shërbimit të internetit dhe intranetit do të jetë për një afat 2 vjeçar.
“Fondi limit/vlera e përafërt e kontratave në varësi të kërkesave/nevojave të institucioneve publike 632,264,825 (gjashtëqind e tridhjetë e dy milion e dyqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind e njëzetë e pesë) lekë pa TVSH ose 5,522,928 (pesë milion e pesëqind e njëzetë e dy mijë e nëntëqind e njëzetë e tetë) EURO pa TVSH fondet e Buxhetit të Shtetit. Çmimi për njësi internet është 37 (tridhjetë e shtatë) lekë për Mbps pa TVSH. Çmimi për njësi intranet është 23 (njëzetë e tre) lekë për Mbps pa TVSH.”– specifikon AKSHI në dokumentacion.
Tre insitucionet për të cilat AKSHI ka kërkuar specifikime të veçanta lidhur me parametrat e shërbimit që duhet të ofrohen nga kompania përfituese janë Agjencia Shtetërore të Kadastrës, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Këto janë institucione për të cilat Agjencia nënvizon se nuk mund t’i mbulojë me shërbimin nëpërmjet rrjetit qeveritar.
“Qëllimi i kësaj kontrate është ofrimi dhe mirëmbajtja e shërbimit të Internetit dhe Intranetit, që do të mundësojë lidhjen dhe komunikimin online e të sigurte për institucionet të cilat AKSHI nuk ka mundësi t’i mbulojë me shërbim nëpërmjet rrjetit Qeveritar GovNet.
Lidhjet për implementimin e shërbimit do të merret përsipër nga kompanitë ofertuese, Internet Service Provider (ISP) që operojnë në Shqipëri. Secila lidhje do të jetë e dedikuar nga kompania deri në pikën fundore të (panelet e fibrës) të institucionit përfitues, dhe në të gjitha rastet do implementohen duke përdorur teknologjinë e fibrës optike.”– thuhet në dokumentin e AKSHI.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al