Sindikata e pedagogëve ka shprehur kundërshtinë lidhur me vendimin e qeverisë më 23 nëntor sipas të cilit, universitetet publike mund të shndërrohen në institucione publike të pavarura.
Kreu i sindikatës Sandër Kovaçi dhe disa pedagpgë deklaruan sot se janë kundër vendimit, pasi ai rrezikon që universitetet publike të jepen më Partneritetin Publik Privat ose siç njihet ndryshe me PPP.
Kovaçi tha gjithashtu se në janar do vendoset për hapat e mëtejshëm pasi qeveria të përmbushë ato kërkesa që ka marrë përsipër.
“Ne morëm një feedback me 15 nëntor nga zyra e bashkëqeverisjes ku thotë se ministria e Arsimit ka marrë parasysh disa elementë të pensionit, që kanë të bëjnë me vjetërsinë në punë, llogaritjen e orës mësimore apo në lidhje me titujt akademik. Por sipas tyre rezulton se vetëm dy universitete kanë kthyer përgjigje. Ne i bëjmë thirrje universiteteve të kthejnë përgjigje për vjetërsinë e personelit, t’i dërgojnë sa më shpejt.
Ne jemi në pritje dhe themi se krijimi i disa grupeve të punës është i domosdoshëm, nëse s’duan t’i kalojnë në kalendar greke realizimin e kërkesave tona, financimin për kërkimin shkencor në masën 0.3% të prodhimit të brendshëm dhe shtimin e pagës në nivelin 30%. Kryeministri ka thënë që mund të ketë një ndryshim për pagën në fillim të vitit të ardhshëm. Paga është sipas titullit. Mesa vura re unë kryeministri ka mendimin që t’i hapë rrugën universiteteve që të rrisin tavanin e vet. Jemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave dhe do të marrim vendim në bazë të përgjigjeve që do marrim në janar.” – tha Kovaçi.