Tensione në sheshin e Teatrit Kombëtar të shembur para dy vitesh. Lajmërimi nga Bashkia e Tiranës se nesër do nisë puna për ndërtimin e Teatrit të Ri është pritur me protesta nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Ata janë përplasur me punonjësit që ndodheshin atje, të cilët mesa duket kishin nisur që sot punën për të pregatitur rehabilitimin e zonës që do t’i hapë rrugën Teatrit të Ri.
Në rrjet ka qarkulluar edhe një video e avokates Adriana Kalaja, ndërsa ajo përplaset me një punonjës, të cilin e ka kërcënuar se do ta nxirrte me forcë nga eskavatori.
“Zbrit mo poshtë, zbrit poshtë ti. Zbrit mo poshtë, ej zbrit poshtë. Zbrit poshtë se do të nxjerr zvarrë. Zbrit poshtë. Atë që kemi bërë ne për Teatrin s’ju lëmë ju… Zbrit poshtë dhe mos e zgjat fare! Këtu nuk ka shanse, jo ti por asnjë në botë, të futet dhe të punojë. Jo mo, se kshu bëni ju ‘Jemi për bukën e gojës’.”– dëgjohet të thotë Adriana Kalaja.
Ndërkohë punonjësi dëgjohet duke thënë se vetëm po bën detyrën.
Përfaqësues të Aleancës për Teatrin por edhe nga opozita kanë protestuar pasditen e kësaj të marte në vendin ku ndodhej Teatri Kombëtar.
“Siç e shikoni forcat e Policisë Bashkiake janë shtuar në numër, vazhdojnë në mënyrë të paprecedentë të mos na tregojnë asnjë dokument zyrtar, se për çfarë sot kanë prishur rrethimin dhe janë futur në një pronë publike. Nga ana tjetër punonjësit që po punonin me mjetin, kanë hequr targën nga mjeti dhe janë larguar. Por ajo që ndodhi në këto orë të vona, tregon fytyrën e vërtetë, vendin se ku ndodhet Policia e Shtetit.
Unë e telefonova Policinë e Shtetit, për ca veprime që konstatuam në Sheshin e Teatrit e mbi të gjitha në një pronë publike. U paraqitën 5 policë nga komisariati Nr.1, ua evidentova të gjithë situatën se për çfarë ne jemi këtu dhe për çfarë i kemi thërritur. Në mënyrën më të pashpjegueshme, në mënyrën më absurde, jo vetëm që Policia e Shtetit u largua nga vendi i ngjarjes pa na dhënë asnjë informacion, pa i kërkuar asnjë dokument Policisë bashkiake, apo punonjësve që po punonin, por nga ana tjetër kanë ardhur disa forca të FNSH-së, nuk e kuptoj arsyen për çfarë kanë ardhur sepse ishim ne që kërkuam policinë për disa veprime të paligjshme dhe arbitrare të Bashkisë Tiranë dhe FNSH, kanë rrethuar hyrjen të cilën vetë në fakt e kanë prishur, dhe nuk lejon asnjë qytetar të Tiranës të futet në këtë pronë publike. Unë së pari i bëj thirrje Bashkisë Tiranë të tërhiqet nga këto veprime të kundraligjshme, që bien në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, veprime të cilat përbëjnë vepër penale.” – tha Kalaja në një deklaratë për mediet.