Vendosni fjalën kyçe....

Ambulancat grevë në Britani, ministri u bën thirrje qytetarëve të mos kërkojnë ndihmë pa arsye serioze


Ministri i Shëndetësisë në Britani Will Quince, i ka kërkuar publikut që të shmangë thirrjen e një ambulance, përveç nëse përballet me një ‘situatë kërcënuese për jetën’, ndërsa punonjësit e emergjencave përgatiten për grevë.

Duke u shfaqur në BBC të martën, Quince tha se njerëzit që vuajnë nga dhimbje gjoksi ose kushte të tjera serioze mund të presin ende të merren nga ambulancat, por të tjerët duhet të telefonojnë linjën jo emergjente të NHS-së.

“Aty ku njerëzit planifikojnë ndonjë veprimtari që mund të sjellë rrezi, do i nxisja fuqimisht që të mos e bëjnë këtë sepse do mund të ketë problem atë ditë,” tha Quince, pa specifikuar se çfarë ai e konsideronte ‘veprimtari të rrezikshme’.

Nëntë grupe të ambulancave në gjithë Anglinë dhe Uellsin do bëjnë grevë të mërkurën, ku pritet të marrin pjesë ndihmësmjekët, dispeçerët dhe punëtorët mbështetës. Ndërprerjet e planifikuara do jenë grevat më të rënda që kanë goditur Britaninë që nga vitet 1980, dhe shefat e NHS-së kanë udhëzuar tashmë spitalet që të lirojnë shtretërit dhe të sigurojnë që pacientët e ambulancës të dorëzohen brenda 15 minutave nga mbërritja, në mënyrë që ato pak ekuipazhe që operojnë të mund t’u përgjigjen më shumë thirrjeve.

Grevës së ambulancës i parapriu një grevë të martën ku përfshiheshin më shumë se 10,000 infermierë, më e madhja në historinë 74-vjeçare të shërbimit shëndetësor. Një grevë e ngjashëm e infermierëve të enjten e kaluar çoi në riprogramimin e 16,000 vizitave e operacioneve, sipas shifrave të NHS.

Infermierët argumentojnë se rritjet e fundit të pagave nuk kanë mbajtur ritmin me normën në rritje të inflacionit të Britanisë dhe po kërkojnë një rritje prej 19% në pagat e tyre. Kryeministri Rishi Sunak i tha Daily Mail të martën se ai ‘nuk do tërhiqet përballë kërkesave të tilla të paarsyeshme’. Sunak deklaroi të enjten e kaluar se një rritje pagash prej vetëm 4.5% për shumicën e infermierëve ishte ‘e drejtë dhe e arsyeshme’.

Ndërkohë, punonjësit e hekurudhave, punonjësit e postës dhe oficerët e Forcave Kufitare kanë planifikuar të gjithë greva këtë javë.