Vendosni fjalën kyçe....

Deklaratat tatimore të Donald Trumpit do të bëhen publike


Një komitet në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së ka votuar për të bërë publike deklaratat tatimore prej gjashtë vjetësh të Donald Trumpit.

Kjo vjen pas një beteje ligjore gati katërvjeçare nga demokratët për të marrë këto dokumente, që u vendos përfundimisht nga Gjykata e Lartë e SHBA muajin e kaluar.

Presidentëve të SHBA-së nuk u kërkohet me ligj të publikojnë deklaratat e tyre tatimore, por për dekada ata e kanë bërë këtë vullnetarisht.

Ish-presidenti ka luftuar shumë për të mbrojtur deklaratat e tij tatimore.

Siç shkruan BBC, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së votoi të martën në mbrëmje për publikimin e dokumenteve, me të gjithë demokratët në panel në favor dhe të gjithë republikanët kundërshtuan.

Një nga anëtarët demokratë të komitetit, Brendan Boyle, tha më pas: “Ky është një nga votat më të rëndësishme që do të hedh ndonjëherë si anëtar i Kongresit dhe i qëndroj 100%”.

Por republikani Kevin Brady tha se demokratët sapo kishin “lëshuar një armë të re të rrezikshme politike”.

“Lista e armiqve të Kongresit është kthyer.”– tha kongresmeni i Teksasit. “Çdo taksapagues amerikan që mund të jetë në anën e gabuar të shumicës në Kongres tani është në rrezik”.

Është e paqartë se kur publiku do t’i shohë dokumentet financiare të periudhës nga 2015-2020, kur zoti Trump kandidonte për president dhe shërbente në Shtëpinë e Bardhë.

Lloyd Doggett, një demokrat nga Teksasi në panel, i tha CNN se publikimi i dosjeve mund të zgjasë “disa ditë” në mënyrë që të redaktohet informacioni personal si numrat e sigurimeve shoqërore.