Emisioni i “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala ka publikuar pjesë nga dosja hetimore mbi tjetërsimin e një sipërfaqe të konsiderueshme të pronave në bregdet.
Ata janë organizata më e madhe kriminale në vend.
Të aftë të kërcënojnë, të shantazhojnë dhe të korruptojnë çdokënd.
Një bandë e cila nuk njeh skrupuj në qëllimet e veta dhe që ka shtrirë tentakulat e saj në të gjithë institucionet ligjzbatuese, duke rekrutuar nga aty burokratë të korruptuar, të cilët më pas i shfrytëzojnë për punët e tyre të pista.
Kjo është mafia e tokave në bregdet.
Një strukturë kriminale, e rrezikshme, e cila vepron prej disa dekadash në Shqipëri dhe që ka mundur të pëvetësojë dhe të tjetërsojë me mijëra hektarë tokë në bregdet.
Kjo, edhe falë ortakërisë me pjesën e krimbur të administratës shtetërore, e cila siç do të shikoni edhe më poshtë në këtë dokumentar të përgatitur nga emisioni ‘Në shënjestër’, del e kudogjendur në biznesin e punëve të pista me krimin.
Një nga këto organizata kriminale që veprojnë në qytetin e Durrësit është edhe ajo e drejtuar nga Aleksandër Laho, apo i njohur ndryshe edhe si ‘Rrumi’.
Pikërisht, historia që do të rrëfejmë edhe më poshtë.
Durrësi, ku grupet kriminale rrotullohen si hiena rreth tij, për të kafshuar çtë mundin nga qyteti që ka shumë ç’të ofrojë për këto organizata, por ku preja e tyre më e preferuar duket se është lakmia për tokat në bregdet, konkretisht në Gjirin e Lalzit apo dhe Hamallaj..
Ku ashtu si në rastin e fundit të Lezhës, ku SPAK ka nisur të japë verdiktet finale në atë që quhet organizata më e madhe kriminale në tjetërsimin dhe përvetësimin e tokave në bregdet, edhe Durrësi duket se nuk do ti shpëtojë një hetimi të hollësishëm, se si këto banda kanë mundur të shtijnë në dorë Kadastrën e qytetit dhe nga aty, të tjetërsojnë me qindra kartela pasurie në bregdet.
Një nga personazhet në krye, të të gjithë kësaj afere, është Aleksandër Laho, i cili më herët mbante emrin Pëllumb Muharremi, personazh me rekorde të shumta kriminale, i shumëpërfolur për atentatin që iu bë atij dhe prokurorit Arian Ndoji, më 1 Nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit.
Aty ku mbetën edhe vetë të plagosur rëndë, por ku ai që humbi jetën ishte Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoji.
Emri i ‘Rrumit’, që kishte qenë i përfshirë më herët edhe në rrahjen ndaj biznesmenit libanez Faadi Mitri, i cili u dhunua barbarisht në shtator të vitit 2016, në sy të bashkëshortes dhe të vajzës së tij.
Por që nuk do të vononte të dilte sërish në skenë, në pengmarrjen që iu bë vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, në autostradën Tiranë-Durrës, më 2 Tetor 2022.
Pengmarrje, e cila shpejt përfundoi në rrëfimet e vëllezërve, që hapi për drejtësinë edhe arkivin e një sërë vrasjesh të ndodhura në aksin Tiranë-Durrës në vitet e fundit.
‘Rrumi’, që ka zgjedhur të arratiset për t’i shpëtuar drejtësisë, që para se emri i tij të lakohej për ngjarjen e fundit në autostradë, ka një hetim të hapur në SPAK ndaj tij, në akuzën për ‘korrupsion aktiv të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike’.
Hetim që siç do të shikoni edhe më poshtë tregon edhe fytyrën e vërtetë mizore dhe të pamëshirshme të krimit, që pasi të mbërthen në darën e vet, dhe të korrupton, të detyron të zbatosh urdhërat e tij.
Ky duket se ishte edhe fati i keq i Irgen Kërçukut.
Një drejtuesi vendor në Durrës, i Avokaturës së Shtetit, i cili siç del nga dosja hetimore e siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, pasi u korruptua nga ‘Rrumi’ dhe banda e tij, në përfundim të të gjithë aferës së tij me këtë bandë, u dhunua fizikisht nga këta të fundit.
E gjithë kjo histori u zbulua pas atentatit që grupet rivale i bënë më 1 Nëntor 2019, prokurorit Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, në mbikalimin e Shkozetit.
Fill pas atentatit, gjatë ekspertimit teknik telefonit të Rrumit, grupi hetues mundi të sigurojë nga aparati telefonik i këtij të fundit, foto dhe video të cilat përmbanin dokumente kadastrale, që lidheshin me toka bujqësore si edhe troje.
Në aktin e marrjes të pandehur të shtetasit Aleksandër Laho, i njohur si ‘Rrumi’, të datës 10 Qershor 2022, ky procedim penal është regjistruar kryesisht mbi bazën e akteve të përftuara nga ekspertimi i aparatit telefonik të sekuestruar në ngjarjen e datës 1 Nëntor 2019, ku është vrarë me armë zjarri Andi Maloku dhe është tentuar të vriten Arjan Ndoji dhe Aleksandër Laho.
Gjatë ekspertimit teknik kompjuterik të aparatit telefonik të shtetasit Aleksandër Laho, konstatojmë se janë përftuar foto dhe video të cilat paraqesin dokumente që lidhen me toka bujqësore dhe toka truall si: Akte të marrjes së tokës në pronësi, çertifikata për vërtetim pronësie, kartela të pasurive dhe harta treguese të regjistrimit të pasurive, të cilat siç ka provuar hetimi i deritanishëm ndodhen në fshatin Lalëz, Durrës.
Por ky ekspertim i telefonit të ‘Rrumit’ do të ishte vetëm maja e ajsbergut, të asaj se çfarë fshihej pas sulmit me armë dhe lidhjeve të tij me zyrtarë të fuqishëm vendor, qoftë edhe në drejtësi.
Siç ishte miqësia e tij me prokurorin Ndoji, që sot ndodhet pranë shkarkimit nga detyra, pasi kalimit në procesin e Vettingut.
Pasi dy video të zbuluara në aparatin telefonik të ‘Rrumit’, do të tregonin për grupin hetues, se rrjeti i të korruptuarve në administratën shtetërore që bashkëpunonin me hir apo me pahir me të, do të ishte shumë më i gjerë.
Nga kqyrja që iu bë aktit të ekspertimit të aparatit telefonik të shtetasit Aleksandër Laho, gjithashtu u identifikuan dy video të cilat përmbajnë pamje të cilat krijojnë bindjen se jemi para një akti korruptiv të kryer nga të paktën tre persona.
Por çfarë ishte kjo video kompromentuese?
Dhe pse përmbajtja e kësaj video kishte lidhje me tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit?
Kush ishin në të vërtetë personazhet e këtyre videove, që në një moment flasin edhe në emër të kryeministrit Rama.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shenjestër’, video e parë e gjetur në telefonin e ‘Rrumit’, i takon datës 13 Qershor 2017.
Dhe pjesëmarrës në këtë bisedë janë tre persona.
Ku njëri prej tyre, sipas transkriptit të bërë më 22 Shtator 2020, del qartë me fytyrë.
Një nga personat që shfaqet në video është identifikuar si zyrtar vendor dhe e gjithë biseda zhvillohet për një process gjyqësor si edhe për një shumë parash prej 5 milionë lekësh.
Zyrtari: Unë sdu me të dalë nga fjala…
I kam qëndru fjalës…
I interesuari: Jo unë i rri fjalës. Shiko për mua se i rri fjalës kam ardhur me të taku, ça e diskuto atë muhabet.
Zyrtari: Jam mundu aq shumë që ndoshta ndonjë tjetër dhe mund të ishte tërhequr, unë po rrezikoj shumë.
I interesuari: Ore nuk po rrezikon se ua ke delegu atyre me asnjë lloj përgjegjësie.
Zyrtari: E kam marr unë atë rrezik tani, prandaj po marr një…..
Kjo është një tip garancie që unë nesër-pasnesër …do ta kuptosh dhe ti.
I interesuari: Unë kam biseduar me njerëzit.. Ti mos mendo se kjo është gjithë gjëja ime…
Geni do 5 milionë lekë dhe mbaroi historia këtu, tani do them nga 5 u bë 12 duket sikur bëhem unë dallaverexhiu?
Të besosh edhe mua, se nuk jam i zoti punës.
Zyrtari: Jo, jo. Unë Titin e kam njoftuar direkt… e mban mend ti që të thashë ( i drejtohet personit tjetër) nesër do flasim dhe me Tiranën të thashë kështu-kështu dhe e kam njoftuar direkt Altinin.
I interesuari: Për mua aq janë shumë.
Zyrtari: Unë me timen jam përpjek. Të them edhe diçka tjetër se unë ndoshta jam çik i drejtë.
Jo më erdhe më the sa të bëj… (duket sikur përmend shifër po jo qartësisht) unë do të jap 10 e kështu..
I interesuari: Po po
Zyrtari: Unë i thashë atyre….
I interesuari: I thashë njerëzve unë dal bllof, tani a kupto si është puna, dal burr i keq.
Sipas dosjes hetimore, personi i identifikuar në bisedë si zyrtari, është Irgen Kërçuku.
I cili, në cilësinë e Avokatit të Shtetit, thotë që ia ka deleguar çështjen gjykatës dhe hipotekës.
Dhe e gjithë biseda rrotullohet rreth një çështje gjyqësore që ka lidhje me një pronë në bregdet.
Nga ajo që biseda lë të kuptohet, është se Avokati i Shtetit është tërhequr nga procesi gjyqësor.
Nga vazhdimi i komunikimit, kuptohet ndër të të tjera se personi i identifikuar si ‘I interesuari’, i kërkon Irgenit që të bisedojë me njerëzit te Hipoteka, në mënyrë që ata t’u bëjnë një zbritje, pasi sipas tij 12 milionë lekë janë shumë.
‘I interesuari’ thotë se kishte biseduar me njerëzit e tij dhe u kishte thënë se “Geni (Irgeni) do 5 milionë lekë dhe historia mbaron këtu’
Ndërsa tani, po sipas ‘Të interesuarit’, ai do të duhet të kafshonte gjuhën dhe t’u thoshte të tijve se nga 5, tani Irgeni kërkon 12.
Dhe se kjo, po sipas ‘Të Interesuarit’, nuk shkon, pasi kështu ai po del dallaveraxhi.
Ajo që do ta materializonte korrupsionin, sipas dosjes hetimore do të ishte një video e dytë.
Edhe kjo, e gjetur në telefonin e ‘Rrumit’.
Ku edhe këtë herë personazhi që shfaqet në pamjet filmike, është Irgen Kërçuku.
Në këtë video, sipas transkriptimit të bërë nga grupi i ekspertëve, del qartë veprimi i dhënies së një sasie parash drejt personit që është nënpunës i administratës publike.
Ky person, sipas përshkrimit të pamjeve, është i veshur me bluzë me ngjyrë të kaltër, pantallona të shkurtra ngjyrë të bardhë dhe atlete ngjyrë të zezë.
Si edhe mban në dorë një çantë ngjyrë të zezë dhe paketë të markës ‘Slims’.
Ku në kohën 2 minuta e 2 sekonda, shfaqen pamjet ku zyrtari merr një sasi parash.
Ndërsa gjatë bisedës, ‘I Interesuari’, që nga SPAK identifIkohet si Aleksandër Laho, përmend edhe një takim me kryeministrin Rama.
I interesuari: …Ja këtu mbrapa
Zyrtari: Në rregull
I interesuari: (Momenti që i jep lekët zyrtarit) Mbaji këto një herë, në gusht kemi të tjera
Zyrtari: Sa psh?
I interesuari: Kaq kisha, hipotekën, më tepër mbaji… edhe ta përfundojmë një herë… kaq, skisha më tepër.
Zyrtari: Në Tiranë kush ta rregulloji?
I interesuari: Po tashi ti duhet të më ndihmosh, ke një, ke dy…Katër milionë lekë edhe dy, gjashtë, të kam 4. Po të them edhe diçka tjetër… duhet të takohesh me të…
Zyrtari: Po pra po. Dhe mbrapa do…
Personi i tretë: Po lene atë. I gjetëm një tokë.
I interesuari: Për problemin me kryetarin… do takojnë Edi Ramën sot ato…
Edhe ti mundohu pak për këtë pjesë.
I interesuari: shiko si është muhabeti i 5 milionshit
Zyrtari; po lene se e thërrasin… tani pjesën tjetër kur do ta sjellësh..
I interesuari: Kur të mbarojmë punë, kur të marri formë të preme.
Sipas dosjes hetimore dhe transkriptit të bisedës, nuk ka dyshime se, zyrtari që shfaqet në pamje filmike, është Irgen Kërçuku, ish- Avokat i Shtetit për degën Durrës.
Gjë që u konfirmua edhe nga kqyerja e sistemit policor DEEPSEE i realizuar në datën 7 Tetor 2022.
Nga ku rezultoi se shtetasi Irgen Kërçuku ishte punonjës i Avokaturës së Shtetit, Dega Durrës.
Po sipas të dhënave hetimore, ky shtetas kishte qenë i punësuar në këtë zyrë edhe në vitin 2017.
Kohë, kur sipas aktit të ekspertimit, janë zhvilluar bisedat që dyshohet se kanë lidhje me veprime korruptive me procesin gjyqësor të një pasurie të paluajtshme, ku avokatura e shtetit ishte palë në proces.
Ndërkohë që ‘I Interesuari’ nuk ishte askush tjetër, veçse Aleksandër Laho, apo ‘Rrumi’.
Personi, i cili mesa duket kishte marrë përsipër ta çonte vetë deri në fund këtë punë, por që kishte zgjedhur t’i filmonte vetë viktimat e tij me qëllim që më pas ti shantazhonte.
‘Rrumi’ i cili i premton dhe i jep Irgen Kërçukut një sasi parash, me qëllim që ky i fundit të delegojë një të drejtë të Avokatit të Shtetit tek një zyrë tjetër.
Por këto dy video mesa duket nuk ishin të vetmet që kompromentonin ‘Zyrtarin’ dhe ‘Të Interesuarin’
Një video e tretë e gjetur në telefonin e Aleksandër Lahos, sipas procesverbalit të datës 27 Tetor 2021`, tregon një tjetër moment kur ‘Rrumi’ i jep një sasi tjetër parash, Irgen Kërçukut.
Irgen Kërçuku, pranoi para grupit hetues, se ai e njeh ‘Rrumin’.
Dhe se në vitin 2017, ky person i ka kërkuar, që Irgeni në cilësinë e Avokatit të Shtetit, të mos bënte apelim të vendimit që Gjykata Administrative Durrës, do të merrte lidhur me padinë e shtetasit, Pal Seçuni.
Pasi ai e kishte rregulluar me hipotekën që nga ana e këtij institucioni të mos bëhej apelim.
Për këtë qëllim, Irgen Kërçuku, pranoi se ‘Rrumi’ i kishtë dhënë një shumë prej 9 milion lekësh të vjetra në dy këste.
Ku herën e parë i kishtë dhënë 6 milionë dhe herën e dytë 3 milionë lekë.
Pal Seçuni kishte paditur anullimin e urdhërit të ndalimit të regjistrimit për një pasuri me sipërfaqe prej 45 mijë m 2 me vendndodhje në fshatin Draç, Durrës, si dhe detyrimin e kësaj zyre për ta regjistruar këtë pronë.
Por ndërsa bënte këto deklarime, Irgen Kërçuku, tha për grupin hetues, se ai kishte qenë i detyruar të kryente këtë akt korruptiv, pasi më herët grupi i Rrumit e kishte dhunuar fizikisht.
“Unë kam qenë i kërcënuar nga ‘Rrumi’ për të marr shumën 9 milionë lekë, pasi vetëm disa muaj më parë unë isha rrahur dhe kërcënuar nga dy persona, lidhur me një process tjetër gjyqësor që i përkiste truallit të ish NPV-Durrës”, tha ai.
Por mesa duket dhuna ishte një praktikë e zakonshme nga Rrumi.
Që edhe këtë herë pasi mbaroi punë, nën kërcënim, e detyroi Irgen Kërçukun, gjithmonë sipas këtij të fundit, që t’i kthente paratë që i kishte dhënë.
“Pasi u njoha me aktet e dosjes, unë u ritakova me ‘Rrumin’ dhe i thashë atij se do të bëja delegimin e çështjes te insitucioni përkatës. Pasi vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë mori formë të prerë, ‘Rrumi’ erdhi dhe më takoi përsëri dhe nën shoqërinë e 3-4 personave të tjerë duke më kërcënuar më kërkoi mbrapsht të gjithë shumën e parave, që më kishte dhënë më parë. Pas kësaj momenti unë shkova në banesë, mora paratë, dhe ia ktheva mbrapsht Rrumit”, tha ai.
E gjithë kjo mizanskenë ngjarjesh, u konfirmua edhe nga hetimet e mëvonshme të prokurorisë.
Ku nga hetimet doli se, ashtu sikundër flitet në bisedat me ‘Rrumin’, Avokati i Shtetit, Irgen Kërçuku, ia delegoi të drejtën e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të shtetit, institucionit të paditur që është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme, Tiranë, ku në fashikullin gjyqësor gjendet vendimi i gjyqtarit Ergys Gashi, nëpërmjet të cilit, është vendosur pranimi i padisë së shtetasit Pal Seçuni, si edhe konstatimi i pavlefshmërisë absolute të urdhërit nr.632 datë 23 Shtator 2016 i ZQRPP Tiranë dhe detyrimi i të paditurit ZVRPP Durrës për regjistrimin në emrin e paditësit, të pasurisë me sipërfaqe 40 000 m2.
Pjesë e pasurisë me nr. 152/9 dhe pasurisë 152/10 me sipërfaqe 3 000 m2.
Sipas këtij fashikulli, vendimi mori formë të prerë në datën 30 Qershor 2017, duke mos u bërë ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Ashtu siç në të vërtetë, ‘Rrumi’ dhe Irgen Kërçuku në cilësinë e Avokatit të Shtetit, dega Durrës, kishin rënë dakord edhe më herët.
Lidhur mbi këtë rast, një tjetër fakt që konfirmoi aktin korruptiv dhe lidhjen e personit të interesuar, në këtë rast Pal Seçuni, me ‘Rrumin’, ishte edhe akti i ekspertimit teknik kompjuterik të celularëve dhe kartave SIM, i telefonit të Aleksandër Lahos, i kryer më 31 Gusht 2020, nga ku doli se në folderin Thumbnails janë evidentuar disa foto, dokumente, të emërtuara Pal Seçuni, si dhe tre foto të një parcele toke.
Por sigurisht Rrumi nuk vepronte i vetëm në këtë sipërmarrje kriminale.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se ai kishte pas vetes një strukturë të mirëorganizuar, burimesh njerëzore, të cilët kryenin apo vinin në zbatim urdhrat e tij.
Për këtë arsye, SPAK urdhëroi me një vendim të datës 6 nëntor 2021, kontrollin e banesës së disa shtetasve të cilët figuronin në agjendën e punëve të pista të ‘Rrumit’.
Persona, midis të cilëve, siç do të shikoni edhe më poshtë, disa, kishin qenë pjesëmarrës edhe në vepra të tjera kriminale, gjithmonë në shërbim të aktivitetit kriminal të Aleksandër Lahos.
Ndërkohë që në këtë listë nuk mungonin burokratët e korruptuar, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të cilët, siç shikohet edhe në dosjen e përgatitur nga SPAK, kishin shpërdoruar detyrën, duke arritur deri te falsifikimi i dokumenteve kadastrale, kryer në bashkëpunim, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Dosja Hetimore
Nga akti i ekspertimit teknik kompjuterik Nr. 11 88 45, datë 15 Nëntor 2019 janë përftuar foto dhe video të cilat paraqesin dokumente që lidhen me toka bujqësore dhe toka truall si:
Akte të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), certifikata për vërtetim pronësie, kartela të pasurive dhe harta treguese të regjistrimit të pasurive të cilat siç ka provuar dhe hetimi i deritanishëm ndodhen në fshatin Lalëz, Durrës.
Sipas grupit hetues, aftësia e këtij grupi të strukturuar kriminal për të hyrë thellë në kartelat e pasurive të ndryshme të paluajtshme, u kishte mundësuar atyre, tjetërsimin e shumë prej këtyre trojeve.
Por kush ishte ky grup që i kishte shërbyer me devotshmëri, ‘Rrumit’, në interesat e tij, për të tjetërsuar dhe përvetësuar në mënyrë të paligjshme, tokat në bregdet.
Sipas grupit hetues, disa nga njerëzit që ishin përfshirë në falsifikimin, regjistrimin apo që kishin kryer transaksione me këto pasuri të paluajtshme, ishin edhe zyrtarë të hipotekës Durrës.
Hipotekë, që kishte qenë gjithmonë e përfolur për lidhje me krimin, por që kjo dosje nxori edhe më zbuluar lidhjet me bandat.
Dosja hetimore
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi Bedri Luku ka nënshkruar certifikatat e pronësisë në cilësinë e ish-regjistruesit të ZVRPP Durrës.
Po kështu, shtetasi Mikel Zaho ka pranuar dhe përpunuar dokumentacionin në kundërshtim me ligjin si dhe ka hedhur të dhënat në sistemin ALBSCAD të ASHK-së.
Por si funksiononte kjo skemë kriminale, pasi dokumentet kadastrale, falsifikoheshin brenda Hipotekës.
Për të mësuar se si kjo skemë funksiononte na vjen edhe njëherë në ndihmë dosja hetimore, e cila zbardh jo vetëm linjën që ndiqej jashtë Kadastrës, por edhe emrat e grupit të Rrumit që shërbenin për të finalizuar këtë skemë, ku duket se njeriu kyç që përdorej nga ‘Rrumi’ si ndërmjetës në këto punë, del të jetë Agron Bejdolli, njeriu i ngushtë i Rrumit.
Personazhi që del edhe në atentatin e 1 nëntorit 2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku makina e tij, ishte ajo që ndiqte nga pas makinën ku udhëtonin prokurori Arian Ndoji dhe miku i tij Rrumi.
Por këto, siç do të vihet re edhe më tej, këto nuk janë rastet e vetme, kur Rrumi ka përdorur Agron Bejdollin si njeriun e tij të besuar, për të regjistruar pronat të cilat më parë i kishte tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit.
Do të ishte kjo dosje dhe hetimet e SPAK, që provuan dhe çuan edhe në akuzën ndaj Aleksandër Lahos, apo ‘Rrumit’, i cili tashmë akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë që për grupin hetues nuk kishte dyshime se ishin përballë një grupi të mirëstruktuar kriminal që kishte mundur nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të përfitonte prona.
Dosja Hetimore
Nga hetimi i deritanishëm janë krijuar dyshime të forta se kemi të bëjmë me një grup të mirë strukturuar kriminal që ka arritur që përmes një skeme kriminale të bëjë të mundur të sigurojë një zinxhir dokumentesh të falsifikuara, me qëllim që të regjistrojë pasuri të paluajtshme në një zonë shumë të preferuar të Shqipërisë siç është fshati Lalëz, Durrës.
Kjo skemë kriminale i ka fillimet që nga ndërhyrjet falsifikuese në Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi, në ndërhyrjet falsifikuese në Regjistrin e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, falsifikimin e komunikimeve shkresore mes Qarkut dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme etj.
Sipas SPAK, të përfshirë në këtë skemë, nuk janë vetëm eksponentë të krimit, por edhe zyrtarë të shumtë vendor të Kadastrës Durrës.
Dosja Hetimore
Këto falsifikime janë shoqëruar edhe me bashkëpunimin e zyrtarëve të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të cilat në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe aktet nënligjore që normojnë regjistrimin e pasurive të paluajtshme kanë bërë të mundur që këto pasuri (të cilat duhet të ishin në pronësi të shtetit) të kalojnë në emër të grupit të strukturuar kriminal që fshihet pas këtyre regjistrimeve dhe falsifikimeve.
Pas këtyre veprimeve kriminale qëndrojnë të njëjtët subjekte. Të dhënat e përftuara si dhe kryerja e transaksioneve të pasurive të paluajtshme pothuajse në të njëjtën periudhë apo edhe tek i njëjti noter krijojnë dyshimin se kemi të bëjmë me një grup të mirë strukturuar kriminal’.
Sipas një investigimi të mëparshëm të BIRN, përmes dokumenteve hetimore nga dy procedime penale tregojnë se sekuestrimi i telefonit të Muharremit i mundësoi Prokurorisë së Posaçme hapjen e “kutisë së Pandorës” për njërin prej episodeve më të mëdha të tjetërsimit të pronave publike në bregdetin e Adriatikut. Përveç tokës me sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrorë, Muharremi dyshohet se qëndron edhe pas tjetërsimit të 14 parcelave të tjera në zonën e Gjirit të Lalzit, përmes një skeme masive falsifikimi dhe korruptimi të zyrtarëve publikë.
Por këto janë vetëm disa nga episodet e tjetërsimit të pronave në bregdet.
Sipërfaqe të mëdha toke në Lalz e Hamallaj e fshatrat përreth janë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Një auditim i kryer në Kadastrën e Durrësit, nxori në dritë një prej skandaleve më të mëdha ndër vite.
Qindra faqe të regjistrave të regjistrimit të pronave u konstatuan të dëmtuara, të grisura apo të zëvendësuara, çka dëshmon për një masakër me pronat në Durrës.
Në prill të 2022 kreu i përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame foli për skandalin e shkatërrimit të regjistrave.
Artan Lame
“Gjithsej arkivi ka 1063 regjistra, dhe prej 1063 regjistrave vetëm 152 regjistra të këtyre pasurive të paluajtshme janë të paprekur, pra janë në gjendje të mirë. Të gjithë të tjerët, 908 regjistra, paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre. Që do të thotë në regjistrat e pasurive të paluajtshme të Durrësit, janë 730 fletë që mungojnë fare nga regjistri”.
Emisioni “Në shënjestër” ka siguruar raportin e plotë të auditit dhe rezulton se nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultuan pa dëmtime.
Një nga regjistrat më të dëmtuar rezulton ai i pronave në Gjirin e Lalzit, ku për pronat në këtë zonë, për fat të keq janë shënuar edhe vrasje mafioze.
Referuar dokumentit, rezulton se 730 faqe nga këto regjistra mungonin tërësisht.
Ndërsa rreth 250 janë zëvendësuar. Për këtë skandal pati reagim të ashpër edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.
Ambasada Amerikane
“Mirëpresim raportin e sinqertë të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim hapa konkretë për përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe në Shqipëri. Hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA. Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE.
Për këtë çështje, prokuroria e Durrësit çeli hetimet, por deri më tani nuk ka përgjigje për përgjegjësit.