Vendosni fjalën kyçe....

EULEX u dërgoi policëve të bllokuar në veri të Kosovës ushqime, veshmbathje e artikuj higjienikë


EULEX u ka dërguar ushqim, veshmbathje si dhe sende higjienike policëve të bllokuar prej më shumë se dhjetë ditësh në Rudnicë/Jarinjë.

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tha në një postim në “Twitter” se ky furnizim u bë më 17 dhjetor, pas kërkesës së Policisë së Kosovës.

“Me kënaqësi ju njoftoj se pas kërkesës së Policisë së Kosovës,@EULEXKosovo më 17 dhjetor, oficerëve të Policisë së Kosovës në pikën e përbashkët të kalimit në Rudnicë/Jarinjë u dorëzoi furnizime thelbësore, duke përfshirë furnizime ushqimore, veshmbathje si dhe sende higjienike.”- shkruan Wigemark.

Disa policë të Policisë së Kosovës, kanë mbetur të bllokuar prej 11 ditësh në objektet policore në Jarinjë e Leposaviq, për shkak të barrikadave të vendosura nga qytetarët serbë atje në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç.