Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata në Gjermani dënon 97-vjeçaren, punoi si daktilografiste në një kamp përqendrimi


Një gjykatë gjermane ka dënuar një grua 97-vjeçare, e cila kishte punuar si sekretare në një kamp përqendrimi nazist, duke e gjetur fajtore si ndihmëse në vrasjen e më shumë se 10,000 njerëzve.

Gjykata e qarkut në qytetin Itzehoe në Gjermaninë veriore e shpalli fajtore Irmgard Furchner të martën dhe i dha asaj një dënim me kusht prej dy vitesh, njoftuan mediat lokale.

Ajo u gjykua para një gjykate për të mitur për shkak të moshës së saj në kohën e krimeve. Furchner punoi si daktilografiste civile në kampin e përqendrimit Stutthof nga viti 1943-45, kur ishte 18-19 vjeç.

Objekti i Stutthof ishte i pari i këtij lloji i krijuar nga Gjermania naziste në territorin e huaj – tokat e aneksuara pranë Danzig, tani qyteti polak i Gdansk. Ajo funksionoi nga shtatori 1939 deri në maj 1945, me rreth 65,000 të burgosur.

Avokatët e saj argumentuan gjatë gjyqit se prokuroria nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se Furchner ishte në dijeni të vrasjeve sistematike të të burgosurve në atë kohë. Në një deklaratë të shkurtër para gjykatës, gruaja shprehu keqardhjen ‘për gjithçka që ndodhi’ dhe praninë e saj në Stutthof.

Gjyqi filloi në tetor të vitit të kaluar, pasi u vonua për shkak të zhdukjes së shkurtër të Furchner nga shtëpia e saj e të moshuarve në shtator, në ditën e parë të procedimeve të planifikuara dhe arrestimit të mëpasshëm nga policia.

Në qershor, një gjykatë në qytetin gjerman të Brandenburgut dënoi një burrë 101-vjeçar që shërbeu si roje në kampin Sachsenhausen. Ai thuhet se është krimineli nazist më i vjetër që është dënuar në vend.