Vendosni fjalën kyçe....

Hajdutja seriale kapet duke vjedhur brenda shtëpisë së Robert De Niros


Një grua 30-vjeçare u arrestua me dyshimin se hyri në shtëpinë me qira të aktorit fitues të Oskarit Robert De Niro në Nju Jork, tha policia.

Ajo dyshohet se ishte një hajdut seriale pas një vargu vjedhjesh në qytet. Sipas policisë, ajo u pa duke hyrë në rezidencën e yllit të Hollivudit nga dera e bodrumit.

“Patrulla ndërhyri menjëherë dhe e zbuloi brenda banesës duke vjedhur”, tha zëdhënësi i policisë, cituar nga Los Angeles Times. Mediat e identifikuan të dyshuarën si Shanice Aviles.

New York Post citoi burime policore të thoshin se Aviles hyri në shtëpi duke përdorur një tub ose shufër metalike.

Sipas Post, ajo u kap rreth orës 2 e 30 të mëngjesit teksa po mbante iPad-in e De Niros dhe po merrte dhurata nga poshtë një peme Krishtlindjesh.

NBC New York, megjithatë, citoi burimet e saj duke thënë se pretendimi për të dyshuarën që po përpiqej të vidhte dhuratat e Krishtlindjeve nuk ishte i saktë dhe se e dyshuara u kap vetëm duke përdorur iPad-in e aktorit. Të dy mediat raportuan se De Niro dhe vajza e tij 10-vjeçare po flinin lart kur ndodhi vjedhja.

Aviles thuhet se është arrestuar të paktën 26 herë në të kaluarën, duke përfshirë 16 herë vetëm këtë vit për vjedhje të vogla. Ligji i shtetit e përcakton vjedhjen e vogël si vjedhje të pronës me vlerë më pak se 1000 dollarë.