Vendosni fjalën kyçe....

Holanda kërkon falje për ‘krime kundër njerëzimit’


Kryeministri holandez Mark Rutte ka kërkuar falje zyrtare për përfshirjen e vendit të tij në 250 vjet skllavëri, duke e quajtur atë një ‘krim kundër njerëzimit’ në një fjalim në Hagë të hënën.

“Sot, në emër të qeverisë holandeze, kërkoj falje për veprimet e kaluara të shtetit holandez”, tha Rutte, duke thënë se e kaluara ‘nuk mund të fshihet, por vetëm duhet të përballesh me të’.

Ai vuri në dukje se megjithëse askush i gjallë sot ‘nuk mban ndonjë faj personal’ apo përgjegjësi për skllavërinë, Holanda si shtet është ende fajtore se ka ‘nxitur e përfituar’ prej saj.

“Njerëzit shiteshin si mall, shfrytëzoheshin dhe tregtoheshin në emër të shtetit holandez,” vijoi ai, duke shtuar se skllavëria kishte shkaktuar ‘vuajtje të mëdha, që vazhdon të ndikojë në jetën e njerëzve tani dhe për këtë, në emër të shtetit holandez, kërkoj falje’.

Vërejtjet e kryeministrit vijnë mes një rishqyrtimi më të gjerë të së kaluarës koloniale të Holandës pasi vendi krijoi një panel kombëtar këshillues pas vrasjes së George Floyd në vitin 2020 në SHBA. Ndërsa Rutte ka përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimeve, qeveria holandeze pritet të krijojë një fond arsimor prej 200 milionë eurosh si dhe të sigurojë rreth 27 milionë euro për një muze të skllavërisë.

Holanda e shfuqizoi zyrtarisht skllavërinë në vitin 1863. Tregtia e skllevërve konsiderohej si forca shtytëse pas ‘epokës së artë’ ekonomike dhe kulturore holandeze.

Megjithatë, përpara fjalimit të Rutte, një numër aktivistësh shprehën përbuzjen e tyre për mënyrën se si qeveria holandeze vendosi të kërkonte falje. Disa kritikë pretenduan se procesi ishte shumë i shpejtë dhe duhej të ishte bërë në konsultim me grupet e pasardhësve.

Disa argumentojnë gjithashtu se falja duhet të kishte ardhur nga mbreti holandez, Willem-Alexander dhe të bëhej në ish-koloninë e Amerikës së Jugut të Surinamit më 1 korrik të vitit të ardhshëm, që do shënojë 150 vjetorin e ditës kur skllavëria përfundoi atje.

Rutte ka pranuar se zgjedhja e kohës së duhur për shpalljen ishte një ‘çështje e ndërlikuar’ dhe vuri në dukje se qeveria holandeze po dërgonte përfaqësues për të mbajtur fjalime në disa ish-koloni, duke përfshirë Surinamin dhe ishujt e Karaibeve të Sint Maarten, Sint Eustatius, Curacao, Saba. Aruba dhe Bonaire.