Në mbledhjen e sotme të Komitetit drejtues të PL-së, kryetari i kësaj force politike Ilir Meta bëri thirrje për marrjen e masave nga qeveria për të dalë nga lista gri e pastrimit të parave.
Duke iu referuar raportit të FMN-së, Meta tha se mbështet nevojën e publikimit të emrave të kompanive që kanë fituar kontrata dhe pronarët e tyre.
Sipas Metës, korrupsioni po dëmton ëndrrën e çdo të riu, ndërsa përsëriti thirrjen për transparencë me fondet publike.
“Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i Partisë së Lirisë dhe opozitës sonë. Korrupsioni i rilindjes po dëmton ëndrrën e çdo të riu dhe ne jemi më të vendosur se kurrë për t’u ndarë me të shumë shpejt. Edhe FMN paralajmëroi për modelin ekonomik të rilindjes të bazuar mbi koncesionet dhe PPP-të korruptive. Mbështes nevojën e publikimit të emrave të kompanive që kanë fituar kontrata dhe pronarët e tyre. Rilindja është kaq e pashpirt saqë i mirëpret fatkeqësitë, për të vjedhur sa më shumë.
Është e domosdoshme të bëhen transparentë para shqiptarëve përfituesit e fondeve dhe për më tepër tre vite pas tërmetit ka ende shumë familje që nuk janë futur në familjet e tyre. Ndaj mbështes shqetësimin e FMN mbi rëndësinë e rritjes së vigjilencës. Mbështes rekomandimin për adresimin e mangësisë së të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet. Të merren masa për të dalë nga lista gri e pastrimit të parave.”- deklaroi Meta.