36 deputetë depozituan sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve me avion jashtë shtetit të Kryeministrit në detyrë, nga data 10.09.2013 deri në datë 31.10.2022″.
Sipas zyrës së shtypit të PD-së, në kërkesë theksohet se faktet e publikuara janë tronditëse.
“Kryeministri rezulton të ketë udhëtuar 137 herë jashtë shtetit me avion privat të tipit ‘charter’, pa llogaritur udhëtimet e tjera me avion të linjave të zakonshme me intervale 3-4 ditore njëri nga tjetri. Rezulton se edhe gjatë krizës së pandemisë Covid-19, Kryeministri ka kryer rreth 20 udhëtime me avion ‘charter’. Shifra e 137 udhëtimeve ‘charter’ është dy herë më shumë se numri i udhëtimeve të ish-Presidenti amerikan Xhorxh W. BUSH, i cili, në dy mandate, kishte kryer 74 fluturime me avionin presidencial amerikan ‘Air Force One’.”- thuhet në njoftimin e PD-së.
Kjo kërkesë vjen pas denoncimeve të vazhdueshme të opozitës dhe medieve lidhur me shpërdorimin e fondeve dhe parave publike nga kryeministri Edi Rama.
Krahas deputetëve mbështetës të Berishës, kërkesa është firmosur nga aleatët e partive të tjera opozitare si Vangjel Dule, Agron Duka, Ilda Dhori, Petrit Vasili, Erisa Xhixho e Monika Kryemadhi.