KFOR vijon patrullimet në veri të Kosovës ndërsa ka bërë thirrje për ulejn e tensioneve e zgjidhjen paqësore te gjendjes së krijuar pas vendosjes së barrikadave nga serbët.
Prej më shumë se një jave gjendja në veriun e Kosovës është e nderë me një pjesë të rrugëve që vijojnë të jenë të bllokuara.
Nëntë barrikada qëndrojnë ende në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, e të cilat kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në këtë anë, shkruan Lajmi.
“Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuçia mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës si dhe të Shefit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Serbisë.” – thuhet në përgjigjen e KFOR-it për gjendjen e krijuar.
Përpos kësaj nga ky mision paqeruajtës u tha se është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse dhuna nuk ka vend në rajon.
“Ne presim që të gjithë aktorët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës, për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve.” – thuhet më tej në deklaratën e KFOR-it.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë bërë thirrje nga serbët që të largojnë barrikadat dhe të mundësojnë jetesën e sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
“Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit.” – ka thënë ndër të tjera së fundmi ministri Sveçla.
Kurti nga ana e tij është pajtuar për t’u dhënë kohë trupave të KFOR-it, për t’i bindur serbët të largojnë barrikadat dhe se në të kundërt, barrikadat nuk mund të lejohen të qëndrojnë shumë gjatë.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk përjashton mundësinë e viktimave. Prandaj, ne duam që të jemi shumë të kujdesshëm që të sigurohemi që të mos ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri. Megjithatë, ne nuk mund të lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë që të vazhdojë në pafundësi. Prandaj, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, tha kryeministri Kurti për “The Guradian”.