Vendosni fjalën kyçe....

Zelenski në Shtëpinë e Bardhë kërkon ndihmë më të madhe kundër sulmit rus


Presidenti Joe Biden priti të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, të cilin e garantoi sërish për mbështetjen e Uashingtonit mes sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës.

Para së gjithash u faleminderoj, është një nder i madh të jem këtu”, i tha zoti Zelenskiy presidentit amerikan gjatë takimit në Zyrën Ovale.

Presidenti ukrainas, i cili tha se kishte dashur të vinte në Shtetet e Bashkuara më herët, falenderoi presidentin Biden, Kongresin dhe amerikanët e zakonshëm për mbështetjen e dhënë ndaj vendit të tij.

Gjatë takimit zoti Zelenskiy i dha zotit Biden, një medalje për merita ushtarake, ofruar nga një ushtarak ukrainas. Zoti Biden premtoi t’i jepte në këmbim ushtarakut ukrainas, një medalje nga një prej fushëbetejave ku janë përfshirë trupat amerikane, Iraku, ku ka luftuar edhe djali i tij Beau Biden.

Ti je njeriu i vitit“, i tha Presidenti Biden zotit Zelenskiy, duke iu fereruar vendimit të revistës “Time” për ta vendosur atë në kopertinë.

Zoti Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin po përshkallëzon sulmet ndaj civilëve dhe po përpiqet të përdorë dimrin si armë.

Zoti Zelenskiy tha se do të zhvillonte bisedime me zotin Biden për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Kievit kundër sulmeve shkatërruese të Rusisë.

Po sot administrata e Presidentit Biden njoftoi një pakete të re ndihme ushtarake prej 1.8 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin edhe sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.

Ky është udhëtimi i parë i presidentit Zelenski jashtë vendit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti. Pas takimit me Presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë ai do të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan.

Presidenti Zelenski dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë ushtruar trysni ndaj udhëheqësve perëndimorë që të ofrojnë armë më të avancuara, përfshirë sistemin e raketave ‘Patriot’, për të ndihmuar vendin e tyre në luftën kundër Rusisë. ‘Patriot’ është sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që Perëndimi do t’i japë Ukrainës për ta ndihmuar atë në zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse.

Vizita e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski në Shtetet e Bashkuara vjen në një kohë kur Kongresi amerikan pritet të votojë për buxhetin, i cili do të përfshijë një ndihmë prej 45 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe përgatitjeve të Uashingtonit për t’i dhënë Kievit sistemin e avancuar të raketave, ‘Patriot’.