Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se shumica po pengon sjelljen në parlament të propozimit të bërë prej tij për heqjen e parashkrimit të veprave penale për zyrtarët e lartë.
Berisha theksoi se ky propozim po pengohet për shkak se ministrat dhe kryeministri kanë frikë nga ndjekja penale për vjedhjet galopante që kanë bërë me tenderët publikë.
“Prej disa javësh kam dorëzuar në parlament një ligj që u hiqet e drejta e parashkrimit për vepra penale, kryeministrave, ministrave dhe drejtuesve kryesorë që kanë të bëjnë me fondet dhe pasuritë publike. Ju në mënyrë antiligjore e bllokoni ligjin duke shkelur çdo rregull dhe nuk e sillni në parlament siç e ërkon rregullorja. Nuk e sillni se e dini se me atë ligj për të gjitha këto vjedhje nuk do të ketë më parashkrim. Nuk parashkruhet më vjedhja e 430 milionë eurove me firmën e Edi Ramës. Nuk parashkruhet më kurrë vjedhja me Portin e Durrësit apo ndërtimi i rrugëve me 6-fishin e vlerës së Bashkimit Evropian, vjedhja me rrugën Qukës-Qafë Plloç.
Nuk parashkruhen vjedhjet që bëhen për rrugët anësore Lekaj-Fier vidhni 5 milionë për kilometër. Nuk parashkruhen vjedhjet për zgjerimin e rrugës Elbasan Librazhd, ku për 1 km vidhni 5 mln euro. Nuk parashkruhen më vjedhjet me tenderët me 1 ofertues.
Sipas KLSH 65% e tenderëve i fiton oferta më e lartë, kjo do të thotë se ai që fiton ndan paratë me këto zonjat dhe zotërinjtë këtu. A mund të imagjinoj kush që 65% e tenderëve janë në këtë kondicion”-deklaroi Berisha.