Deputeti i PD-së, Edmond Spaho ngriti sot në Parlament çështjen e korrupsionit në Doganën e Durrësit, të denoncuar vazhdimisht në media ditët e fundit.
Nga foltorja e Kuvendit, Spaho ironizoi qeverinë duke thënë se “punët e mira” u panë në pamjet filmike, që tregonin sesi merrej ryshfeti.
“Pse ikin njerëzit kur pagat rriten, inflacioni është ulur? Pse kanë ikur në Angli vetëm 13 mijë vetë këtë vit?! Edhe mburremi dhe themi që rritja e të ardhurave 45 miliardë lekë përgjatë vitit që thuhet se ka ardhur nga puna e mirë e qeverisë.
Zero punë të mirë të qeverisë ka në këtë rast. Punën e mirë të qeverisë e pamë te filmimet në Doganën e Durrësit se si punohet dhe merret ryshfet. S’ka asnjë shqetësim për të mbledhur taksat nga Doganat dhe Tatimet.
Vëmendja është te korrupsioni. Më thoni një vit që nga 2013 që të jenë mbledhur paratë më shumë se sa janë parashikuar. Këto para janë mbledhur në buxhet të shtetit pothuajse nga rritja e fëmijëve.”– deklaroi Spaho.