Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: Presidentin doni ta ktheni në kukull, mos të japë dot as dekorata


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka kritikuar qeverinë për kalimin e kompetencës për dekoratat dhe titujt e nderit nga presidenti te kryeministri Edi Rama.

Në seancën e sotme plenare që ka rifilluar, Zhupa tha se maxhoranca kërkon të uzurpojë çdo pushtet, duke i marrë edhe kompetencat e dekoratave nga Presidenti i vendit pasi kërkon t’i përdorë dekoratat për vota.

“Duket shumë qartë, nuk ka njeri që nuk e shikon. E tha Rama publikisht që kjo bëhej sepse Presidenti i mëparshëm kishte dhënë shumë dekorata, kishte respektuar shumë personalitete dhe këto mund të ishin mbështetje dhe mund të përktheheshin në vota për të. Nuk kishte se si t’ju shpëtonin dhe këto dekoratat. I mori Rama për qokat e tij. Keni krijuar kancelarinë për urdhrat dhe medaljet. Kancelari do të emërohet nga ana e kryeministrit. Nuk ka as statusin e nënpunësit civil. Me kod pune që kryeministri e heq dhe e vendos, që të mos i shkojë ndërmend të bëjë ndonjë lëvizje pa e ditur kryeministri. Edhe në kolegjin përkatës, janë 9 anëtarë, prej të cilëve, 8 janë të kryueministrit. Dhe një prej anëtarëve është nga Akademia e Shkencave. Sot që ne e kemi Akadeinë e Shkencave të kapur politikisht, që drejtohet nga ish-ministri i fundit i arsimit. Edhe ky anëtar është nga e njëjta parti. Presidenti ka vetëm një anëtar në këtë kolegj. I keni vendosur limite për limite.

Presidentit i keni vendosur vetëm 10% tagër për të vendosur në atë kolegj. Si ta ktheni një President, një pushtet që duhet të jetë si garant në të gjitha palët, si ta ktheni në një kukull, që nuk dhuron dot asnjë dekoratë për merita. Ju keni aq merak, saqë shpikni edhe tituj. Keni filluar fushatën në çdo bashki për të krijuar ca tituj. I bëni për t’i shfrytëzuar politikisht. Për të thirrur njerëz që nuk ju vijnë.”– deklaroi Zhupa gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit.